Inter, vetëm barazim ndaj Torinos

27/01/2013 00:00

Ndeshja e fundit e javës së 22-të të Serisë A, ajo mes Interit dhe Torinos, ka përfunduar në barazim 2-2.

Zikaltërit nuk përfitojnë nga hapi fals i Juventusit ditën e shtunë për t’iu afruar kreut, por i rekuperojnë vetëm një pikë Lazios së vendit të tretë.

Christian Chivu kalon në avantazh Interin në San Siro (5’) me një goditje dënimi, por Meggiorini përmbys rezultatin me dygolëshin e tij (23’ dhe 53’).

Skuadra e Stramaccioni arrin të barazojë me Cambiasso (66’) pas një aksioni individual të shkëlqyer të kapitenit Zanetti.

Pas 4 ndeshjesh pa shënuar, El Shaarawy rikthehet të shënojë, ndërsa
Milan siguron një fitore të vuajtur në Bergamo, 3 pikë të vyera për të
vazhduar ngjitjen drejt zonës Champions.

Të besuarit e Allegri-t mposhtin 1-0 Atalanta-n, një ndeshje që u kushtëzua edhe nga problemet me fushën. Goli i vetëm i ndeshjes u shënua në minutën e 29-të, pas një pasimi perfekt diagonal të Niang drejt “Faraonit”, pasi kishte rrëzuar në tokë më parë Consigli-n.

Atalanta luajti një pjesë të mirë të pjesës së dytë me 2 veta më pak, pas kartonave të kuq të Brivio-s dhe Colantuono-s.

Napoli s’gabon këtë radhë, 2-1 në Parma
Napoli nuk e humbet rastin e dytë që i jepet për t’iu afruar Juves, tashmë vetëm 3 pikë diferenca me ta, teksa siguron një fitore me peshë në transfertën e Parma-s. Ndeshja përfundon 2-1, një takim me shumë emocione.

Skuadra e Mazzarri-t kaloi në avantazh në të 20-n, në pjesën e parë, me sllovakun Hamsik, por pas një ngatërrese në vijën fatale mes De Sanctis dhe Cannavaro-s, është pikërisht kapiteni, ai që devijoi topin në portën e tij, pas gjuajtjes së Sansone-s, në të 74-tën.

Por, 6 minuta nga fundi i përballjes, Insigne gjen në zonën kundërshtare Cavani-n, i cili nuk gabon nga një pozicion komod.

Bologna-Roma, sfidë “e çmendur”
Në ndeshjen e drekës, Roma nuk shkoi më shumë se barazimi 3-3 në Bologna, në fund të një takimi që, mund të konsiderohet edhe më shumë se sa “e çmendur”.

Verdhekuqtë kalojnë në avantazh me anë të Florenzi-t, në minutën e 9-të, por në të 17-n barazon Gilardino. Vetëm 1 minutë më pas Osvaldo rikthen avantazhin për ekipin e Zeman, por në të 26-n Gabbiadini ekuilibron sërish.

Pjesa e parë mbyllet 2-2. Në të dytën, Pasquato kalon për herë të parë në avantazh Bologna-n, në minutën e 54-t, por një goditje me kokë nga Tachtsidis, 15 minuta nga fundi i ndeshjes, rikthen barazpeshën.

Në fund, Diamanti goditi një herë shtyllën dhe më pas traversën, por askush nuk mundi të dalë me 3 pikë nga kjo sfidë.

Në ndeshjet e tjera, Cagliari-Palermo 1-1, Fiorentina humbet në transfertë me Catania-n 2-1, Udinese fiton minimalisht 1-0 me Siena-n, ndërsa Sampdoria shpartallon 6-0, me një tripletë të Icardi-t, ekipin e Pescaras, në një sfidë ku u nderua edhe kujtimi i presidentit xhenovez të Samp-it, Garrone, i cili u nda nga jeta vetëm pak ditë më parë.

Top Channel