Bashkimi Europian do të financojë me 112 milionë euro ndërtimin dhe rehabilitimin e rrugëve rurale në Shqipëri.
Kjo është bërë e ditur nga François Begeot, një prej përfaqësuesve të zyrës së delegacionit europian në Shqipëri, gjatë inspektimit të një rruge në ndërtim, në qarkun e Beratit.
Bashkimi Europian ka mbështetur këtë program të qeverisë shqiptare, me një kontribut prej 55 milionë eurosh, që do të shërbejnë për rehabilitimin e 250 km rrugë rurale.
“Nëpërmjet IPA 2013, një fond shtesë prej 112 milionë euro do t’i jepet qeverisë shqiptare, për rehabilitimin e rrugëve rurale. Ne jemi duke punuar së bashku me partnerët tanë të BERZH-it, BEI-it dhe KFË-së, për realizimin e këtij programi të rëndësishëm. Doja të theksoja, që ky projekt po zbatohet me sukses nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, që është një institucion me kapacitete dhe eksperiencë për menaxhimin e projekteve të zhvillimit rajonal në Shqipëri”, tha François Begeot.
Rruga në ndërtim lidh komunat Velabisht e Roshnik me Beratin dhe ka një gjatësi prej 11.5 kilometrash.
Në funksion të një ndërhyrjeje rajonale për zhvillimin e qarkut Berat, qeveria shqiptare, nëpërmjet FSHZH, ka investuar në prioritetet kryesore të infrastrukturës, të cilat kanë pasur impakt të drejtpërdrejtë në zhvillimin rajonal dhe lokal.
Top Channel