Egjipt, Morsi deklaron gjendje “emergjence”

27/01/2013 21:55

Presidenti egjiptian, Mohammed Morsi, ka deklaruar situatën emergjente në 3 qytete, Port Said, Suez dhe Ismalia, pas protestave të dhunshme dhe me të vdekur të këtyre ditëve.

Shtetrrethimi do të aplikohet për 30 ditë, duke nisur nga e hëna, përkatësisht nga ora 21:00 deri në 06:00, thuhej në një fjalim përpara kombit të tij.

Të paktën 33 persona humbën jetën gjatë fundjavës në Port Said, ku një vendim gjykate shkaktoi trazira të dhunshme. Pakënaqësitë ndaj “sundimit” të Morsi-t, shkaktuan përleshje edhe në qytete të tjera.

Në kryeqytetin Kajro, protestues anti-qeveritarë u përplasën me forcat e sigurisë pranë sheshit Tahrir, për të katërtën ditë radhazi.

Opozita liberale akuzon Morsi-n se po bëhet autokratik dhe po udhëheq drejt një kushtetute të re, që nuk mbron mjaftueshëm lirinë e shprehjes apo lirinë fetare. Qeveria akuzohet gjithashtu edhe për thellimin e krizës ekonomike.

Morsi tha se mund të ndërmarrë hapa të tjera “për të mirën e Egjiptit”, pasi kjo është “detyra” e tij si president. Ai ftoi gjithashtu liderët politikë në një “dialog kombëtar”, gjatë ditës së hënë.

Top Channel