Obama emëron shefin e ri të stafit

26/01/2013 01:40

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka emëruar Denis McDonough, ish-zëvendës këshilltarin e tij për sigurinë kombëtare, si shefin e ri të stafit.

McDonough, 43 vjeç, po pason në këtë post Jack Lew, teksa ky i fundit është kandidat, i përzgjedhur sërish nga Obama, për rolin e sekretarit të thesarit. Ai ka punuar për presidentin, që kur Obama është futur në Senat.

Në një deklaratë nga Shtëpia e Bardhë, presidenti e quajti McDonough si “një nga këshilltarët më të afërt dhe më të besueshëm” të tij. “Denis ka luajtur një rol të rëndësishëm në të gjitha vendimet kryesore për sigurinë kombëtare të presidencës time: dhënia fund e luftës në Irak, përmbylljen e luftës në Afganistan, përgjigjet tona ndaj fatkeqësive natyrore nëpër botë, si në Haiti apo tsunami i Japonisë, e deri te shfuqizimi i ligjit “Mos Pyet, Mos Thuaj”,” tha ai.

Paraardhësit e tjerë të McDonough në këtë rol kanë qenë Rahm Emanuel, William Daly dhe Pete Rouse. McDonough ishte një nga shumë personat përreth Obama-s, në fotografinë e Shtëpisë së Bardhë ku shihej sulmi ndaj Osama Bin Laden.

Këshilltari kundër terrorizmit, John Brennan, do të zëvendësohet nga Lisa Monaco, ish-kreu i Divizionit të Sigurisë Kombëtare, në Departamentin e Drejtësisë. Brennan ka qenë i nominuar për t’u bërë shefi i ri i CIA-s.

Obama i dha lamtumirën, të premten, edhe menaxherit të tij gjatë fushatës elektorale, David Plouffe. “Nëse nuk do të ishte për të, ne nuk do të ishim kaq efektivë si ‘Shtëpi e Bardhë’ dhe, ndoshta, unë nuk do të isha këtu”, tha presidenti.

Drejtori i komunikacionit në Shtëpinë e Bardhë, Dan Pfeiffer, është ngritur në detyrë, duke marrë rolin e këshilltarit të lartë.

Top Channel