Katër lëkundje sizmike, më e forta e të cilave 4.2 ballë, janë regjistruar mbrëmjen e së premtes në jug të Bosnje e Hercegovinës.

Sipas raportimeve të mediave lokale, tërmeti ka pasur si epiqendër lokalitetin e Gackos, në jug të Mostarit, jo larg kufirit me Malin e Zi.

Për fat të mirë nuk ka pasur viktima apo dëme materiale, por vetëm pak panik tek banorët. Burimet shtojnë se lëkundja më e fortë u regjistrua rreth orës 20:00.

Më herët gjatë muajit në rajonin e Ballkanit një tërmet i fuqishëm tronditi banorët e ishullit grek Limnos, në Egjeun verior, pranë brigjeve me Turqinë.

Tërmeti pati një fuqi prej 5.8 ballë të shkallës Rihter dhe epiqendra e tij ishte 247 kilometra në verilindje të Athinës, në zonën detare midis ishullit të Limnosit dhe atij të Shën Stratit, në një thellësi prej 10 kilometrah.

Termeti u ndje jo vetëm në kryeqytetin grek, por në shumë zona të Greqisë veriore, deri në Bullgari. Për fat të mirë nuk pati informacione për dëme në njerëz apo materiale.

Top Channel