Me Iker Casillas që do t’i nënshtrohet një operacioni mbrëmjen e së premtes, Reali është vënë në merkato në kërkim të një portieri në gjendje që të zëvendësojë me efikasitet kapitenin.
Casillas, i cili pësoi një frakturë në dorën e majtë në ndeshjen e fundit ndaj Valencias (Valencia-Real 0-5), do të mungojë për të paktën dy muajt e ardhshëm.
Në këto kushte, sipas të përditshmes spanjolle “AS”, klubi i ka paraqitur një ofertë zyrtare skuadrës angleze të Queens Park Rangers (QPR), për portierin brazilian, ish-interistin Julio Cesar.
33-vjeçari, një prej futbollistëve kryesor të Interit fitues të Champions League në 2010-n, përveçse një portier i provuar i nivelit të lartë, ka avantazhin që mund të aktivizohet në ndeshjet e Champions League.
Megjithatë, braziliani është vetëm një zgjidhje e përkohshme, pasi madrilenët shpresojnë që ai të mbërrijë në formulën e huazimit deri në fund të sezonit, kur do të bëhet një ofertë “e parefueshme” për Petr Cech, 30-vjeçarin e Chelsea.
Një prej lojtarëve të preferuar të Mourinhos, portieri çek do të rriste në nivelet më të larta konkurrencën për portën e Realit, duke vendosur në pikëpyetje titullaritetin e Casillas, diçka të cilën trajneri portugez ka dashur ta bëjë prej kohësh.
Top Channel