Do të jenë 13 qytete ato që do të presin ndeshjet e Europianit të vitit 2020, vendosi të premten Këshilli Ekzekutiv i UEFA-s.
Ideja për ndryshimin e mënyrës tradicionale të organizimit, me një ose dy shtete si vende organizatore, është vendosur që të realizohet vetëm në edicionin e 2020-s, me rastin e 60-vjetorit të edicionit të parë të Europianit.
UEFA kishte lajmëruar më parë planin e saj, duke bërë që Turqia, një prej kandidatëve kryesorë për vend organizator, të tërhiqej në mënyrë demonstrative, duke u fokusuar tek kandidatura e Stambollit për Lojrat Olimpike të të njëjtit vit (2020).
Në një mbledhje të Këshillit Ekzekutiv, kryesuar nga presidenti i UEFA-s, Michel Platini, u përcaktua gjithashtu se ndeshjet gjysmëfinale dhe finalja do të zhvillohen në të njëjtin stadium.
Kjo mënyrë eksperimentale e organizimit të Europianit ka ngjallur debate të shumta, por sipas ekspertëve, pritet që të gjenerohen të ardhura rekord, për shkak të përfshirjes së shumë shteteve europiane në projekt.
Në bazë të ndryshimit të UEFA-s, çdo qytet mund të aplikojë në mënyrë të pavarur, duke kërkuar që t’i akordohen ndeshje të Europianit.
Top Channel