Xhon Kerri: Do e ndalim Iranin

24/01/2013 23:55

Senatori amerikan Xhon Kerri tha se Shtetet e Bashkuara do të bëjnë gjithçka munden për të ndalur Iranin, që të sigurojë bombën atomike, deklaratë që u bë gjatë një seance dëgjimore për të marrë konfirmimin si Sekretar i Shtetit.

“Duke iu referuar interesave tona të jashtëzakonshme në mospërhapjen e bërthamoreve, ne duhet të zgjidhim çështjet, që lidhen me programin bërthamor të Iranit. Presidenti e ka bërë të qartë. Ne do të bëjmë çfarë mundemi për të parandaluar Iranin, që të sigurojë armën bërthamore”, tha Kerri.

Presidenti Barak Obama e emëroi 69-vjeçarin Xhon Kerri, në postin e kryediplomatit të Shteteve të Bashkuara, për të zëvendësuar Hilari Klinton. Në fakt, emri i tij ishte i dyti, pas atij të Suzan Rajs, që mban postin e ambasadores së SHBA-ve në OKB.

Emri i saj u lidh me deklarata kontradiktore, për ngjarjen në konsullatën e Bengazit në Libi. Në senat, demokrati i Masaçusetsit pritet të konfirmohet lehtësisht. Kerri u shoqërua nga Sekretarja amerikane e Shtetit, Hilari Klinton, senatori republikan, Xhon MekKein, dhe senatorja e re e Masaçusetsit, Elizabet Uorren.

Klinton e quajti kandidaturën e Xhon Kerrit si zgjedhjen e duhur. Nga ana e tij, senatori shprehu vlerësimin për punën dhe kontributin e saj.

“Sekretarja Klinton, në veçanti, ka punuar mbi dhe përtej detyrës. Mendoj se të gjithë në këtë komision bien dakort. Puna e saj ka qenë e shkëlqyer dhe të gjithë do ta falënderojmë për punën e kryer më së miri, për përpjekjet e palodhshme për vendin tonë. Do të bëj gjithçka mundem në fuqinë time, për të mbledhur të gjitha energjitë e mia, për të çuar më tej arritjet e saj dhe vizionin e Presidentit”, tha Kerri.

Veteran i luftës në Vietnam dhe senator prej vitit 1985, Senatori Kerri ishte kandidati demokrat në zgjedhjet presidenciale të vitit 2004, por humbi përballë Xhorxh W. Bushit. Pas marrjes së detyrës në krye të Departamentit të Shtetit, vendi i tij në senat do të plotësoshet nga Guvernatori i Masaçusetsit, Deval Patrik, dhe brenda pak muajsh do të zhvillohen zgjedhje për këtë post.

Top Channel