Këta djem janë ekipi i Shtërmenit. Janë peshëngritës nga fshati. Para se të paragjykoni, kini parasysh faktin e thjeshtë që ky fshat numëron mbi 30 medalje në peshëngritje mes sportistëve të ndryshëm.
Është e pabesueshme se si një fshat me 4-5 mijë banorë të ketë një përqendrim kaq cilësor peshëngritësish, por ja që ndodh. Klaus Toska është rritur me diskutime për ngritje peshash: “Kam qenë 11 vjeç kur kam nisur peshëngritjen. Kushtet kanë qenë të vështira, por po përmirësohen gjërat. Nuk ka ditë që të mos shkoj në palestër, edhe kur jam pushim.”
Me gjithë sakrificat e mëdha, me jetën shumë larg zonave urbane, këta djem stërviten çdo ditë. Familja e Alush Hoxhës ka bërë sakrifica të panumërta, por sot, Alushi është në grumbullimin e ekipit kombëtar: “Ndihem shumë mirë që kam arritur deri në këtë pikë.”
Briken Calja do të mjaftonte i vetëm të fuste Shtërmenin në hartën e peshëngritjes botërore. Ja disa statistika sa për të krijuar idenë. 23-vjeçari peshon 69 kilogramë, por rezulatet i ka mahnitëse: medalje ari në 2010 për të rinjtë, ndërkohë që në Londër e mbylli në vendin e nëntë.
“U dashurova me peshëngritjen kur pashë për herë të parë Luan Shabanin dhe Pirro Dhimën duke garuar. Mendoja se duhet të punoj shumë për të shkuar në një Olimpiadë”, shprehet Calja.
325 kilogramë në dygarësh nuk janë keq, por ende larg mundësive të tij reale. Megjithëse ka bërë sakrifica të çmendura nga pasioni për peshëngritjen: “Kam rrezikuar shumë të isha invalid. Kam shtypur diskun dhe kam vazhduar garën edhe pse doktorët më ndaluan rreptësisht.”
Në një fshat të vogël është e vështirë të gjesh një restorant, jo më një palestër cilësore: “Kemi nisur në një palestër shkolle, me kushte qesharake.”
Familja e tij, të afërm e të njohur, kanë vite që sakrifikojnë për pasionin e Brikenit: “Kam lënë shumë gjëra pas dore, familjen, të fejuarën, shokët… Thjesht nuk kam kohë sepse stërvitem 5-6 orë në ditë.”
Duket sikur i gjithë Shtërmeni e dashuron peshëngritjen. Alushi deklaron: “Unë ndihem mirë me këtë sport. Rrugës nuk më ngacmon njeri (qesh).”
Por, ja që tifozët në vend që të mbushin pallatet e sportit, duket se po e lënë pas dore motivin e tyre të krenarisë.
Brikeni ka pasur oferta për të lënë Shqipërinë, por ky i fundit nuk ka ndërmend të lërë as Shtërmenin e jo më kombëtaren: “Ka shumë qytete të bukura, por unë jam mësuar në Shtërmen dhe aty më pëlqen të jetoj.”
Por, në karrierën e një sportisti herë pas here ngelen meraqe e pishmane.
“Sporti ka të papritura dhe në kampionatin europian nuk mora medalje vetëm për peshën trupore”, thekson Calja.
Sot, këta djem janë duke u bërë gati për europianin. Zona e Elbasanit njihet për probleme të herëpashershme të mutacioneve, por duket se në Shtërmen radioaktiviteti ka pasur efekte pozitive.
Femërorja e Romela Begajt
Romela Begaj është peshëngritëse shqiptare olimpiste. Ka thyer herë pas here rekorde dhe është me siguri një nga ato femra që nuk do të donit ta ngacmonit në rrugë duke pasur parasysh faktin që ka vendosur rekordin në shtytje, kështu që nëse do t’i duhej t’ju shtynte do t’ju çonte shumë larg.
Nga ana tjetër, ajo është një femër në çdo efekt… ose pothuajse. Përshembull, nuk i ka qejf lulet, ashtu si shumica e vajzave: “Nuk më pëlqejnë fare.”
Para se të vazhdojmë me intervistën e Romelës si femër, është e rëndësishme për të që të shkarkojë emocionet e europianit që do të zhvillohet në Shqipëri. Ndryshe nga herët e tjera, grumbullimi i saj është marrë më seriozisht nga Federata e Peshëngritjes.
“Më kanë dhënë ndihmë për tu grumbulluar në Greqi. Presidenti i ri e ka marrë seriozisht punën dhe shpresoj që të sjellë një frymë të re në sportin e peshëngritjes”, shprehet Begaj.
Por, nëse jetën e saj e ka përcaktuar dashuria për peshëngritjen, të tashmen dhe të ardhmen do e përcaktojë dashuria për Gazin, i cili është edhe trajneri edhe bashkëshorti i saj, me siguri që një vajzë kaq e fortë nuk bëhet kollaj për vete.
“Gazi më bëri për vete sepse ishte një djalë serioz dhe kokëfortë”, shpjegon peshëngritësja e famshme.
Në kategorinë 58 kg, Romela është një nga më të mirat në botë. Rezultati me 212 kg në dygarësh është i frikshëm, por çfarë është romanticiteti për një shtangiste: “As mua, as Gazit nuk na pëlqen romanticiteti. I njohim rregullat dhe i ndajmë gjërat. Kjo është më e rëndësishmja për mua.”
Mbase ajo nuk është romantike, por kjo nuk do të thotë që nuk ka asgjë që e bën të buzëqeshë Romela Begajn. Sigurisht, peshëngritësit nuk janë ndër më të shquarit për të treguar barcaleta, por edhe ata kanë muskuj për të qeshur.
“Më pëlqejnë kafshët dhe lojërat me kompjuter. Më heqin stresin”, tregon Romela.
Romela Begaj sot është veshur pashmangshmërisht me tuta, por qarkullojnë zëra se ka pasur raste kur ka veshur dhe rroba të tjera e madje edhe këpucë me taka: “Më pëlqen veshja sportive, vetëm në raste të rralla vesh taka. Fustane nuk kam fare. Përdor pantallona serioze dhe xhaketa.”
CV-ja e Romelës është arsye për të qenë krenarë. Nga ana tjetër, aftësitë e saj si shtëpiake nuk janë të shquara sepse ajo nuk mund të lajë enët pasi i dëmtohen duart dhe as nuk di të gatuajë, por asgjë nga këto nuk ka rëndësi kur ajo ngre 212 kilogramë hekur.
Yjet e “rëndë” të sportit
Tradita jonë në sportet e rënda nuk përcaktohet nga fakti se sa shumë njerëz kanë dashur të merren me to, por nga numri i kampionëve që vendi ynë i vogël ka nxjerrë.
Më 29 gusht 1972 në Munih, Ymer Pampuri thyen rekordin Olimpik në peshëngritje dhe bëhet Kampion i Botës. Bëhet fjalë për një kohë kur përvoja jonë në sporte linte shumë për të dëshiruar, edhe pse ndër vite, veç eksperiencës pak duket se ka ndryshuar.
Një tjetër emër legjendar, ashtu siç vetëm yjet e vdekur dinë të jenë, është Aleksandër Konda. Pa u zgjatur shumë, mjafton të themi që ishte shqiptari i parë që kalonte limitin e 200 kilogramëve. Po flasim për fillim-vitet ‘80.
Por kur themi sportet e rënda, mundja është një tjetër prirje natyrale shqiptare. Ndoc Qokaj është mjek, por përveç kësaj doktori ka qenë kampion për vite me radhë në mundje. Me pacientët ishte delikat, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për kundërshtarët në ring. Ai ka dhjetëra medalje.
Paulin Stërkaj sot nuk e njohin si sportist, por ja që nuk po i drejtohemi si politikan, por si një ish-mundës i suksesshëm. Ai ka qenë pjesë e ekipit të Vllaznisë, një ekip me shumë traditë e tituj.
Por në sportet e rënda është dhe një kategori që me shumë mundësi dhe gabimisht shpesh janë quajtur tradhëtarë. Pirro Dhima është më përfaqësuesi, por kushtet e vështira që u kemi ofruar yjeve tona i ka bërë të largohen. 3 herë kampion olimpik, 3 herë kampion bote, mbase më i miri që ka qarkulluar ndonjëherë, por të gjitha këto për flamurin grek. Sot është deputet ashtu si Paulin Stërkaj, por në një tjetër parlament. Në moshën 20-vjeçare la Shqipërinë dhe që nga ajo ditë mrekulloi botën.
Elis Guri është i fundit në radhë. Po flasim për kampionin e Botës në mundje, por kujdes sepse ai tashmë është bullgar. Me radhë një listë e gjatë mjeshtrash sporti të gjithë shqiptarë, të gjithë të talentuar, por që kanë garuar e garojnë për ekipe të tjera.
Por, le t’i kthehemi traditës. Farruk Kalleshi është një burrë shtatshkurtër, por është një nga rekordmenët më të rëndësishëm shiptarë. Nderi i Kombit ka thyer mbi 100 herë rekordet që kishte vendosur po vetë. Radha është aq e gjatë sa “Pasdite në Top Channel” do të duhej të zgjaste me orë, por fakt është që shqiptarët, me apo pa para’, me apo pa palestër, janë kampionë të lindur në sporte të rënda.
Top Channel