Real, kapitenët nuk duan Mourinhon

24/01/2013 00:00

‘Marca’ publikoi mëngjesin e sotëm lajmin se kapitenët e Real Madrid, Iker Casillas dhe Sergio Ramos, i kanë kërkuar presidentit Florentino Perez largimin e trajnerit Jose Mourinho.

Por, në orën 13:00 vetë presidenti i klubit madrilen ka thirrur një konferencë për shtyp për të përgënjeshtruar lajmin.

“Gjithçka që është shkruar është e rreme. Në drekën që kam mbajtur me kapitenët e skuadrës nuk ka pasur asnjë ultimatum për teknikun. Ishte një takim i zhvilluar në një klimë të mrekullueshme dhe asnjë prej 4 pjesëmarrësve në të nuk ka folur me shtypin. Kërkoj që lajmi të përgënjeshtrohet menjëherë”, u shpreh me tone të larta Florentino Perez.

“Është e papranueshme që të publikohen lajme false për të arritur objektiva mediatike”, shtoi presidenti i Real Madrid.

Komunikatë e Iker Casillas dhe Sergio Ramos: Mbështesim Jose Mourinhon!

Pas konferences për shtyp të Florentino Perez, Real Madrid publikoi në faqen zyrtare në internet një komunikatë të përbashkët të Iker Casillas dhe Sergio Ramos, kapitenëve të ekipit.

Ja teksti i plotë:

Pas publikimit të informacionit të ditës së sotme, si dy kapitenët e parë të Realit të Madridit duam të komunikojmë sa më poshtë:

1.    Në mbledhjen e zhvilluar të martën me presidentin dhe drejtorin e përgjithshëm të klubit nuk kemi dhënë asnjë ultimatum për trajnerin.
2.    Si kapitenë të skuadrës refuzojmë kategorikisht përfshirjen e emrave tanë në një informacion krejtësisht të rremë.
3.    Mbështesim trajnerin tonë, Jose Mourinho, të cilin e respektojmë jashtëzakonisht shumë.
4.    Duam tu themi ortakëve dhe tifozëve të Realit të Madridit se jemi të bindur që vetëm bashkimi do të na çojë në kapërcimin e çdo pengese që na paraqitet përgjatë sezonit.

Forca Real Madrid!

Iker Casillas dhe Sergio Ramos

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta