Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga priti të enjten në një takim lamtumire shefin e misionit EULEX, Xavier Bout de Marnhac.

Shefi i EULEX-it e falënderoi presidenten për mbështetjen dhe përkrahjen e punës së misionit evropian për sundimin e ligjit dhe theksoi rezultatet që ky mision ka arritur që prej vendosjes në Kosovë.

Ai tha se EULEX-i ka ndërtuar marrëdhënie shumë të mira të partneritetit me institucionet e Kosovës dhe theksoi se përgjegjësitë duhet të kalojnë gradualisht tek ato.

De Marnhac tha se Kosova ka bërë hapa përpara dhe se duhet të vazhdojë të ndërtojë një të ardhme më të mirë e më të sigurt.

Nga ana e saj presidentja Jahjaga e vlerësoi punën dhe angazhimin e De Marnhac gjatë kohës që ai ka udhëhequr EULEX-in.

Ajo tha se, misioni i BE-së për sundimin e ligjit po bën një punë të mirë në mbështetjen e institucioneve të Kosovës në fushën sigurisë dhe të drejtësisë.

Jahjaga vlerësoi se, Kosova ka arritur rezultate në fushën e rendit dhe të sundimit të ligjit dhe përshëndeti angazhimin e madh të institucioneve të vendit dhe të gjithë qytetarëve në luftën kundër korrupsionit dhe të krimit të organizuar.

Presidentja theksoi më tej se Kosova po punon për arritjen e kritereve dhe të standarteve të kërkuara nga BE-ja, që do të mundësojnë përshpejtimin e axhendës evropiane.

Ajo e vuri theksin në veçanti tek përfundimi i proçesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës dhe arritjen e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.

Top Channel