Franca: Përkeqësohet kriza iraniane

24/01/2013 15:40

Ministri i Jashtëm i Francës, Laurent Fabius, vlerësoi se kërcënimi i programit bërthamor iranian po vazhdon të rritet, duke ndërlikuar edhe më shumë këtë problem që shqetëson komunitetin ndërkombëtar.

”Në Iran, kërcënimi është gjithmonbë e më i madh”, deklaroi të enjten Fabius, në një konferencë tracionale për shtyp për gazetarët në fillim të vitit, fokusuar mbi politikat dhe qëndrimet e “Quai d’Orsay” (Ministrisë së Jashtme).

”Nga njëra anë, është Teherani që po avancon gjithmonë e më shumë me programin dhe tij dhe nga ana tjetër, gjithmonë e më shumë vende, përfshi ata me të drejtë veto në Këshillin e Sigurimit, që e konsiderojnë të papranueshme që bomba bërthamore të jetë në duar të iranianëve. Është e qartë që kriza bëhet çdo ditë edhe në e rëndë”, deklaroi Fabius, duke përsëritur edhe një herë qëndrimin e vendosur të Parisit zyrtar kundër programit bërthamor të shtetit aziatik, pasardhës direkt i Persisë.

Deklarata e kryediplomatit francez vjen ndërsa një raund i ri bisedimesh për programin përthamor të Iranit pritet të realizohet në fund të janarit, por sipas mediave ndërkombëtare, ekziston një skepticizëm i thellë mbi mundësinë e gjetjes së një marrëveshje.

Bisedimet do të zhvillohen sipas formulës së zakonshme “5+1”, me të dërguarit iranianë që do të negociojnë me përfaqësuesit e pesë vendeve të Këshillit të Sigurimit në OKB (SHBA, Kinë, Rusi, Francë, Britani) dhe Gjermaninë.

Takimi i fundit midis palëve është zhvilluar në gusht 2012, por ai nuk arriti të jepte rezultate konkrete.

Si rrjedhojë e refuzimit të inspektimeve nga Agjensia Bërthamore e OKB-së, Irani është bërë subjekt i sanksioneve të shumta ndërkombëtare, të cilat kanë ndikuar në një inflacion galopant dhe rënien e fitimeve nga nafta me 45%.

Përballë kësaj situate të vështirë, duket se presidenti Ahmadinejad është detyruar të lëshojë dhe të negociojë për pranimin e inspektorëve, në mënyrë që të lehtësojë barrën e rëndë mbi vendin e tij.

Sipas Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve të saj perëndimorë, Irani është duke zhvilluar një program bërthamor me qëllime ushtarake, por Teherani e ka mohuar gjithmonë këtë pretendim, duke thënë se reaktorët kanë si qëllim vetëm sigurimin e energjisë.

Zhvillimet e fundit të programit në Iran, kanë bërë që Izraeli të kërcënojë me një ndërhyrje ushtarake të njëanshme, pasi sipas Tel Avivit zyrtar, kapacitetet e mundshme bërthamore në dorë të Teheranit janë në gjendje të kërcënojnë ekzistencën e shtetit hebre.

Top Channel