Sarandë, probleme në rrugën nacionale

23/01/2013 21:40

Rruga nacionale nga Borshi në Lukovë ka paraqitur prej mëngjesit të së mërkurës vështirësi në qarkullimi. Shkak janë bërë rrëshqitjet masive në më shumë se 10 segmente, që mendohet se i kanë sjellë shirat e rrëmbyeshëm.

Më problematike ka qenë rrëshqitja e ndodhur në fshatin Piqeras, ku rruga ka qenë e kalueshme vetëm për mjetet e vogla, por jo për ato të tonazhit të rëndë.

Në hyrje dhe dalje të fshatit Piqeras janë parë çarje masive të asfaltit dhe rrëshqitje të formacioneve masive, në shtrirje 50 deri 60 metra në vijë lineare dhe në thellësinë të paktën një metër, duke hapur zgavra të pakalueshme e të rrezikshme.

Situatën e kanë parë nga afër nënprefekti i Sarandës Gjergji Mano, përfaqësues nga qarku i Vlorës dhe të pushtetit vendor në komunën e Lukovës. Nënprefekti Mano e ka vlerësuar serioze situatën e shkaktuar nga reshjet e shirave të dendura të javës së fundit.

Ai ka kërkuar të ndërhyhet për rehabilitimin sa më parë të dëmtimeve, ndërkohë që ka kërkuar të evakuohen tre familjet më pranë rrezes së terrenit të dëmtuar, pasi sipas tij, rreziku i vazhdimit të rrëshqitjes së terrenit është i mundshëm.

Top Channel