Dje, në Kuvendin e Kosovës, në zyrën e nënkryetarit të Kuvendit, kryetari i Lidhjes Demokratike, Dr. Isa Mustafa, dhe nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, z. Sabri Hamiti, u takuan me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetarin e Grupit Parlamentar të kësaj lëvizjeje, Visar Ymerin.

Në këtë takim u diskutua për gjendjen e rëndë politike, ekonomike dhe sociale në Kosovë, si dhe për mungesën e demokracisë dhe të shtetit ligjor. Përgjegjës për të gjitha këto është, pikë së pari, qeveria e Kosovës.

Me politikat e saj ose mungesën e tyre, ajo ka shkaktuar rritjen e varfërisë dhe të papunësisë, në njërën anë, kurse degradimin e ndërtimit të shtetit, në anën tjetër, duke errësuar kështu perspektivën e qytetarëve të Kosovës.

Po ashtu, u trajtua edhe çështja e reformës zgjedhore dhe rëndësia e jashtëzakonshme për zgjedhje të lira dhe të ndershme në Kosovë. Përndryshe, çfarëdo përsëritje e cilësdo prej atyre dukurive të shumta, që shënuan vjedhjet dhe parregullsitë masive të zgjedhjeve të 12 dhjetorit 2010, do të bënte që shteti i dobët i Kosovës të rrezikojë  dështimin e pakthyeshëm.

Përfaqësuesit dhe drejtuesit e këtyre dy subjekteve folën edhe për nevojën e një bashkërendimi të shtuar dhe më të mirë opozitar, në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Top Channel