Djali i Beckham, në gjurmët e babait

23/01/2013 14:40

Djali i një prej futbollistëve më të famshëm në botë, David Beckham, është vënë në gjurmët e babait, duke u regjistruar për një provë me klubin e Chelsea.

”Sportsmail” informoi të mërkurën se 14-vjeçari ishte paraqitur një ditë më parë në qendrën stërvitore të Kobhemit, për t’u provuar nga trajnerët e moshave të klubit të Premier League.

David Beckham gjithashtu ishte i pranishëm në këtë ditë të rëndësishme për djalin e tij të madh, ndërsa prezenca e tij në fushën e Chelsea, u interpretua gabimisht nga disa gazetarë si një trativë për rikthimin e tij në Premier League, këtë herë në radhët e bluve.

Një burim i afërt me familjen, deklaroi në shtypin britanik: “Brooklyn është një adoleshent me ambicie për t’u bërë një futbollist i madh. Ai ka kohë që stërvitet dhe u rikthye në Britani për të parë se sa larg mund të shkojë”.

Një ish-futbollist dhe tifoz i Manchester United, Beckham ka arritur t’i transmetojë të parëlindurit të tij dashurinë për futbollin, por jo për fanelën e ekipit të “Old Trafford”, me 14-vjeçarin që është bërë një tifoz i çmendur i skuadrës së Abramovich, vendosur në lagjjen e pasur të Londrës.

Top Channel