Taksa për transaksionet financiare në BE

22/01/2013 15:30

Ministrat e Financave të 11 vendeve të Bashkimit Europian, përfshi Franca dhe Gjermania, i dhanë dritën jeshile taksës së shumëdebatuar mbi transaksionet bankare.

Sipas mbështetësve, kjo taksë do të ndihmojë në rritjen e bashkëpunimit ndërshtetëror dhe frenimit të tregëtisë spekulative, por shumë vende janë shprehur skeptike, duke argumentuar se ajo do të rëndojë biznesin dhe bankat në kohën më të papërshtatshme të mundshme.

Më parë, taksat ishte rrëzuar në nivel europian, midis 27 vendeve të Bashkimit Europian dhe u rrëzua edhe në nivelin e Eurozonës, me gjashtë nga 17 shtetet që përdorin monedhën e përbashkët euro që vendosën të votonin kundër projektit.

”Kjo taksë përbën një moment vendimtar për Bashkimin Europian, ndërsa shtron rrugën për një reformë tërësore në tregun financiar, edhe pse nuk u arrit një unanimitet”, deklaroi Algirdas Semeta, Komisioneri europian për Taksat.

Taksa mbi transaksionet ekonomike, e propozuar që 40 vjet më parë, pritet të tatojë me 0,1% mbi vlerën e çdo transaksioni të aksioneve apo obligacioneve dhe 0,01% çdo kontratë derivuese financiare.

Top Channel