Sulmi me acid ndaj gjyqtares në Vlorë

22/01/2013 00:00

Qyteti i Vlorës është vënë sërish në qendër të vëmendjes një javë më parë për sulmet ndaj togave të zeza. Këtë herë, protagoniste e ngjarjes së pazakontë ka qenë gjyqtarja e Gjykatës së shkallës së parë, Mirela Mishgjoni.

Si çdo ditë ajo u bë gati për të shkuar në punë. Sapo ka zbritur shkallët e pallatit, gjyqtarja iu drejtua parkingut për të marrë automjetin e saj. Në mënyrë të rrufeshme, një person i panjohur është afruar për t’i hedhur një sasi acidi sanitar në pjesën e fytyrës dhe kraharorit duke e dëmtuar rëndë.

Fillimisht ajo i ka bërë rezistencë agresorit, por e ka patur të pamundur të shmangte acidin. Ajo u dërgua menjëherë në spitalin rajonal të Vlorës, ndërsa kolegët e Mirelës shprehën indinjatën e thellë: “Ne i rikthehemi këtyre ngjarjeve pasi kanë ndodhur. Fenomeni duhet analizuar më përpara. Gjyqtari është pjesë e shoqërisë dhe shoqëria jona ka probleme të shumta. Gjithsesi, nuk legjitimohet goditja e një funksionari të lartë shtetëror.

Dyshimet e para për ngjarjen kanë të bëjnë më profesionin e gruas, arsye kjo që ka shtyrë grupin hetimor të shtrijë hetimet në proceset gjyqësore që ka patur së fundmi Mirela Mishgjoni.

Pas ngjarjes nuk ka munguar dënimi i aktit nga Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë, Gjykata e Lartë dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë, institucione të cilat kanë kërkuar sa më parë zbardhjen e kësaj ngjarjeje duke e cilësuar si një atentat që i bëhet pushtetit gjyqësor në vend.

Kjo nuk është hera e parë që togat e zeza sulmohen në qytetin bregdetar. Pak kohë më parë, qetësia e qytetit bregdetar i trondit nga vrasja e gjyqtarit Skerdilajd Konomi, i cili humbi jetën gjatë një atentati me bombë të mirëorganizuar në qendër të qytetit.

Top Channel