OKB: Rritet numri i të papunëve në botë

22/01/2013 04:37

Numri i të papunëve në botë është rritur me 4 milionë më shumë gjatë 2012, duke kapur shifrat e 197 milionë gjithsej, teksa pritet të rritet akoma më shumë, paralajmëron agjencia e punësimit të OKB-së.

Në një raport, Organizata Ndërkombëtare e Punësimit (ILO) ka bërë të ditur se më të prekurit kanë qenë të rinjtë: gati 13% e tyre janë të papunë nën moshën 24-vjeçare. Ajo bëri të ditur gjithashtu se papunësia në botë do të rritej me 5,1 milionë këtë vit dhe me 3 milionë gjatë 2014-s.

Ky trend reflekton rënien e rritjes ekonomike në mbarë botën, bëhej e ditur në dokumentin e publikuar. Kjo ndodh veçanërisht në vendet e zhvilluara.

Raporti i titulluar “Trendi i Papunësisë Globale 2013”, njoftonte se 6% e forcës punëtore në botë mbeti pa punë gjatë 2012-s. Aty zbulohej gjithashtu se të papunët prej një kohe të gjatë janë rritur ndjeshëm, duke theksuar se 1/3-ta e të papunëve në Europë janë në kërkim të një pune prej më shumë se 1 viti.

Shumë prej tyre janë dorëzuar, teksa raporti vlerëson se 39 milionë njerëz janë tërhequr nga tregu i punës.

“Një vështrim i paqartë ekonomik dhe pamjaftueshmëria e politikës për t’iu kundërvënë kësaj, kanë dobësuar kërkesën agregate, duke ulur investimet dhe punësimet”, tha drejtori i përgjithshëm i ILO-s, Guy Ryder.

Raporti bëri thirrje gjithashtu për më shumë fonde të injektuara në trajnime profesionale, për t’i pajisur të rinjtë me njohuritë e duhura për të krijuar punë. “Ky është një shpërdorim i madh i jetëve të të rinjve dhe talentit të tyre, duke shkatërruar jashtëzakonisht shumë vet njerëzit dhe shoqëritë, ku ata jetojnë”, tha Ryder.

ILO theksoi se vendet, të cilat kanë ruajtur punët profesionale, si Gjermania, Austria dhe Zvicra, kanë nivelet më të ulta të papunësisë mes të rinjve.

Top Channel