Mali, Britania asistencë Francës

22/01/2013 00:00

Qeveria britanike do të diskutojë mundësinë për të ndihmuar trupat franceze në luftën kundër rebelëve islamikë në Mali.

Kryeministri David Cameron ka deklaruar se Francës mund t’i jepet asistencë e mëtejshme për transport dhe mbikëqyrje, pasi i janë huazuar dy aeroplanmbajtëse.

Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes ka deklaruar se nuk ka plane për një ndërhyrje tokësore.

Pas vdekjes së disa shtetasve britanikë në sulmin kundër impiantit të gazit në Algjeri nga militantët islamikë, zoti Cameron tha se Afrika e Veriut po bëhet një magnet për xhihadistët.

Shqetësimet për rritjen e influencës së Al Kaedës në Afrikën e Veriut janë rritur pas vendosjes së trupave franceze për të frenuar avancimin e grupeve militante në Mali dhe pas pengmarrjes në Algjeri.

Në rastin e pengmarrjes, ku u vranë 48 shtetas të huaj, militantët i kanë bërë thirrje Francës që t’i japë fund ndërhyrjes ushtarake në Mali.

“Bashkë me partnerët tanë në rajon ne jemi në mes të një brezi që lufton kundër një ideologjie, që deformon besimin islamik dhe që vlerëson se vrasja dhe terrori jo vetëm që janë të pranueshme, por të domosdoshme”, deklaroi Cameron.

Kryeministri britanik u shpreh se përgjigjia e komunitetit ndërkombëtar ndaj këtij kërcënimi do të jetë në krye të axhendës gjatë kohës që Britania do të drejtojë presidencën e G8-ës.

“Ne duhet t’i pengojmë terroristët përmes sigurisë sonë. Ne duhet t’i mposhtim ata ushtarakisht. Ne duhet të zhdukim fjalimet e tyre të helmatisura që manipulojnë mendjet e të tjerëve”, theksoi Cameron.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB