Izrael, pjesëmarrje e lartë në zgjedhje

22/01/2013 19:00

Izraelitët regjistruan një pjesëmarrje të lartë në zgjedhjet e përgjithshme, të cilat pritet të rikonfirmojnë kryeministrin Benjamin Netanyahu në pushtet.

Sipas zyrtarëve zgjedhorë, deri në orën 18:00 (me orën e Izraelit, nje ore perpara tones), ishte regjistruar një pjesëmarrje prej 55,5%, një nivel pjesëmarrje që nuk vërehej që prej vitit 1999 dhe rreth 5% më e lartë deri në të njëjtën orë të zgjedhjeve të shkuara.

Përpara votimeve, analistët vlerësuan se një pjesëmarrje e lartë do të ishte më e favorshme për partitë e qendrës së majtë, që kundërshtojnë Netanyahun.

Popullsia arabe e Izraelit, 1,5 milionë banorë ose rreth 20% e popullsisë, ka bojkotuar në masë zgjedhjet, duke regjistruar një rënie të ndjeshme të pjesëmarrjes nga ana e saj.

Aktualisht, procesi i votimit është mbyllur dhe po hapen kutitë e para për të numëruar votat.

Pavarësisht pjesëmarrjes së lartë dhe sondazheve që treguan për një rritje të popullaritetit të bllokut “Habayit” në opozitë, koalicioni i djathtë i Netanyahut, formuar nga partitë e djathta “Likud-Beitenu”, pritet që përsëri t’ia dalë mbanë të sigurojë një fitore të bindshme.

Rezultatet e para zyrtare priten në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, por është paralajmëruar se procesi i formimit të një qeverie të re, për shkak të negociatave të vështira midis partive të ndryshme, mund të zgjasë me javë.

Top Channel