Rezultatet paraprake të zgjedhjeve të përgjithshme në Izrael tregojnë fitoren e koalicionit të partisë Likud, të kryeministrit Benjamin Netanjahu, dhe aleatëve të djathtë, por diferenca mes tyre dhe partive të qendrës së majtë është e vogël.
Zgjedhjet përfunduan në orën 21:00 me orën tonë. Pjesëmarrja e lartë, siç raportojnë mediat ndërkombëtare, ndihmoi partitë e qendrës së majtë.
Netanjahu, sipas të gjitha gjasave, do të kërkojë aleancën me partinë nacionaliste, Habait Hajehud. Nëse rezultatet paraprake do të konfirmohen zyrtarisht, Netanjahu do të siguroje mandatin e tretë në detyrë, por me një shumicë të zvogëluar dhe më të ashpër.
Procesi i formimit të qeverisë izraelite do të kërkojë disa javë. 32 parti konkurronin në këto zgjedhje, sipas sistemit proporcional, për 120 anëtarët e Parlamentit. Partitë duhet të fitojnë të paktën 2% të votave, për të siguruar deputetët e tyre.
Top Channel