Bilanci i pengmarrjes në Algjeri

22/01/2013 00:00

Kryeministri i Algjerisë Abdelmalek Sellal deklaroi se 37 punonjës të huaj, prej tetë vendeve dhe një algjerian u vranë gjatë krizës së pengjeve në impiantin e gazit në In Amenas.

“Nga këto 37 viktima, shtatë nuk janë identifikuar ende. Terroristët qëlluan disa prej pengjeve në kokë dhe i vranë”, tha ai.

Abdelmalek Sellal tha se 29 prej pengmarrësve që morën nën kontroll impiantin në afërsi të shkretëtirës në qytetin e In Amenas u vranë dhe tre u kapën të gjallë. Ai tha se shumë prej tyre kishin hyrë në Algjeri nga veriu i Malit. Ata vinin nga, Algjeria, Egjipti, Tunizia, Mali, Nigeri, Kanadaja dhe Mauritania.

Të hënën Tokio deklaroi se shtatë japonezë u vranë dhe tre të tjerë rezultojnë të humbur. Zyrtarët amerikanë konfirmuan se tre amerikanë humbën jetën, ndërsa shtatë të tjerë munden t’i mbijetojnë pengmarrjes. Kryeministrit britanik, Dejvid Kameron njoftoi për tre bashkëkombas të vrarë dhe tre të tjerë që rezultojnë të humbur.

Megjithëse rebelët islamikë e shpjeguan pengmarrjen si kundërpergjigje ndaj ofensivës ushtarake të Francës në veri te Malit, kryeministri algjerian tha se sulmi i tyre po përgatitej prej dy muajsh.

Policia algjeriane tha se pengmarrja ishte organizuar nga Moktar Belmoktar, udhëheqësi militant i shkëputur nga AKIM, Al Kaeda në Magrebin Islamik, e lindur në Algjeri, por që aktualisht vepron në rajonet Sahara dhe Sahel.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB