“Drejtësi e vonuar është drejtësi e mohuar.” Ky është një nga postulatet që çdo njeri i ligjit e njeh shumë mirë, por a krijon një drejtësi e vonuar probleme sociale dhe nisma vetëgjyqësie?
Një numër i madh avokatësh, të cilët përballen përditë me çështje nga më të ndryshmet, civile dhe penale, kanë vënë re në jo pak raste mohimin e së drejtës tek klientët e tyre. Ata mendojnë se aktet e dëshpëruara të njerëzve të dëshpëruar, të cilët përballen me korrupsionin në dyert e gjykatave, vendimet e të cilave u marrin një pasuri apo lirojnë nga burgu njerëz të rrezikshëm, nuk legjitimohen.
Avokati Altin Gjata shprehet: “Cdokush që i drejtohet gjykatës është i bindur që ka të drejtë, por nëse nuk di ose je i aftë për të kërkuar të drejtën, gjykata nuk ta jep dot vetë. Gjykata vihet në lëvizje nga palët dhe mënyra se si e vënë këto palë gjykatën në lëvizje bën diferencën. Ti mund të kesh 100% të drejtë, por nëse nuk ke provat e duhura ose nuk i referohesh bazës së duhur ligjore, atëherë krijohen probleme që gjykata nuk i rregullon dot.”
Të gjithë i dënojmë sulmet ndaj njerëzve të drejtësisë, por ana tjetër e monedhës është fakti që njerëzve u mbetet e vetmja zgjidhje kur shohin se janë të pafuqishëm përpara një makinerie që duhet të japë drejtësi. Sipas avokatëve, drejtësia shqiptare në ditët e sotme është duke u përballur me një tërësi problematikash, të cilat reflektohen edhe me uljen e besueshmërisë tek opinioni publik.
Siguria juridike është një ndër elementet kryesore të shtetit të së drejtës. Kjo siguri presupozon veç të tjerave besueshmërinë e qytetarëve tek shteti, zbatueshmërinë e ligjit në mënyrë të barabartë për të gjithë.
“Është për të ardhur keq që ndodhin këto gjëra. Në çdo punë ka nevojë për përmirësime”, shton avokati Gjata.
Studimet ndërkombëtare dhe ato vendase tregojnë se korrupsioni në sistemin gjyqësor shqiptar perceptohet të jetë shumë i lartë dhe një pengesë serioze për funksionimin e sistemit.
Vlen të përmendet se zvarritjet e proceseve gjyqësore janë të shpeshta dhe predispozitë për një drejtësi të mohuar ndaj njerëzve të thjeshtë, të cilët nuk kanë gjë tjetër në dorë përveç vetëgjyqësisë.
Top Channel