Një atentator, i cili vendosi një pistoletë në kokën e një politikani bullgar gjatë një fjalimi që po transmetohej drejtëpërsëdrejti shprehu keqardhjen e tij “të thellë”, që arma ngeci në momentin vendimtar.

25-vjeçari Oktay Enimehmedov përdori në atentatin e tij një pistoletë gazi, që nuk përdor plumba dhe përdoret kryesisht për vetëmbrojtje, por që mund të shkaktojë dëme serioze nëse qëllohet në distancë të afërt.

Ai u shpreh në marrjen në pyetje në polici se dëshironte që të frikësonte Ahmed Doganin, liderin e Lëvizjes për të Drejta dhe Liri, që përfaqëson minoritetin turk dhe atë musliman në Bullgari, rreth 12% e popullsisë së përgjithshme.

Enimehmedov do të ndiqet penalisht për akuzën e kanosjes dhe huliganizmit. Incidenti në të cilin ai u bë protagonist u regjistrua gjatë një kongresi partiak në kryeqytetin Sofie, ditën e shtunë.

Enimehmedov u ngjit në podium dhe i vendosi Doganit një pistoletë në kokë, por arma ngeci dhe ai u neutralizua nga truprojat, të cilët për disa minuta e rrahën barbarisht përpara kamerave të disa televizioneve kombëtare.

Top Channel