50 vjet nga Traktati i Elizeut

22/01/2013 00:00

Franca dhe Gjermania shënojnë 50-vjetorin e traktatit që shërbeu për të pajtuar dy ish-armiqtë e Luftës së Dytë Botërore.

Liderët gjermanë dhe ata francezë kanë mbajtur bisedime në Berlin dhe gjatë ditës pritet të mbahet një sesion i përbashkët i dy parlamenteve.

Traktati i Elizeut u firmos nga Charles de Gaulle për Francën dhe Konrad Adenauer për Gjermaninë më 22 janar 1963.

Pavarësisht luhatjeve në marrëdhëniet dypalëshe, Berlini dhe Parisi kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë dy vende kyçe në Bashkimin Evropian.

Për të festuar atë që është cilësuar si festivali i miqësisë, Franca dhe Gjermania kanë nxjerrë në treg flamuj, monedha dhe artikuj të tjerë përkujtimorë.

Flamujt francezë do të ngrihen përkrah atyre gjermanë në Berlin. Më vonë gjatë së martës mbi 500 deputetë francezë do të udhëtojnë drejt kryeqytetit gjerman për sesionin që do të mbahet në Bundestag.

Gjithashtu, gjatë ditës do të mbahet edhe një darkë mes dy kabineteve qeveritare. Të hënën kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Francois Hollande zhvilluan bisedime me dyer të mbyllura.

Zonja Merkel tha në fjalimin e saj të së shtunës se Gjermania ishte shumë pranë një marrëveshjeje me fqinjin e saj. “Kur ne jemi takuar një zgjidhje e re dhe pozitive ka dalë nga çdo takim”, tha ajo.

Gjithësesi, dy vendet mbeten të ndara për një sërë çështjesh, përfshirë atë për mënyrën e përballjes me krizën e eurozonës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB