Nën drejtimin e kryetarit të Këshillit Organizativ për shënimin e 5-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi, është mbajtur sot takimi i radhës, në të cilin është diskutuar për aktivitetet e deri tanishme dhe atyre që duhet të bëhen, lidhur me ceremonitë e shënimit të ditës së Pavarësisë.

Ministrat dhe anëtarët e tjerë të Këshillit Organizativ, të ngarkuar me organizimin e ceremonive të veçanta, kanë raportuar lidhur me punën e bërë dhe janë shprehur se më 17 shkurt çdo gjë do të jetë gati, që përvjetori i pestë i Pavarësisë të shënohet në mënyrë madhështore dhe dinjitoze.

Memli Krasniqi, ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, në një konferencë shtypi pas takimit, ka thënë se janë marrë vendime konkrete për një sërë aktivitetesh, që do të mbahen në mbarë Kosovën, por me fokus të veçantë në kryeqytet.

Ndër aktivitetet kryesore janë edhe dy akademitë: njëra më 15 shkurt, që ndërlidhet edhe me 43-vjetorin e themelimit të Universitetit të Prishtinës, si dhe më 16 shkurt akademia solemne e shënimit të 5-vjetorit të Pavarësisë, kur do të ketë edhe një koncert të Filarmonisë së Kosovës.

“Për datën 17 shkurt, ditën e shpalljes së Pavarësisë, anembanë Kosovës do të ketë homazhe pranë varrezave të dëshmorëve dhe personaliteteve të tjera. Do të ketë homazhe edhe nga një delegacion zyrtar, që do të fillojnë te varrezat në Prekaz, te varri i komandantit legjendar Adem Jashari, në Prishtinë te varri i presidentit Ibrahim Rugova dhe te përmendorja e komandantit Zahir Pajaziti”, ka thënë Memli Krasniqi.

Më tutje, ai ka numëruar aktivitetet e tjera, si Parada e Pavarësisë në Prishtinë e FSK-së. Në mbrëmje, një koncert i madh i Pavarësisë, që gjithashtu do të mbahet në qendër të Prishtinës. I gjithë jubileu do të përfundojë pa ndezjen e fishekzjarrëve, gjë që do të ndodhë diku pas përfundimit të koncertit.

Top Channel