Qytetarët e Kosovës nderojnë në mënyrë të veçantë figurën e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Në përvjetorin e shtatë të vdekjes së tij, mijëra qytetarë dhe veprimtarë politik u mblodhën në sheshin kryesor të Prishtinës. Të prirë nga strukturat udhëheqëse të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ata marshuan nga Kuvendi i Kosovës përgjatë rrugës “Rrustem Statovci” e “Isa Kastrati”, për të bërë homazh pranë varrit të presidentit të ndjerë.

Edhe në këtë përvjetor, figura dhe vepra e Ibrahim Rugovës, si njeriu që i dha udhë ndërtimit të shtetit të Kosovës, konsiderohet thjesht si një njeri i pazëvendësueshëm.

Aktivitetet, në nderim të veprës së Ibrahim Rugovës, nisën si zakonisht me homazhe pranë varrit të tij nga drejtues të shtetit të Kosovës, për të vazhduar me vizitën e përvitshme që i bëhet familjes Rugova, në lagjen Velania në Prishtinë.

Dy akademi përkujtimore u organizuan në këtë ditë, njëra nën patronatin e presidentes Atifete Jahjaga dhe tjetra nën organizimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Ne, sot, e kujtojmë presidentin e parë të shtetit, i cili në kohë të vështira diti të marrë vendime të rëndësishme, që i dhanë drejtim historisë, duke e përcaktuar përfundimisht fatin tonë si popull dhe të ardhmen e atdheut”, tha Atifete Jahjaga, presidente e Kosovës.

Në akademinë përkujtimore të organizuar nga LDK-ja, ish-presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu tha se vizioni i Ibrahim Rugovës mbetet frymëzues për ndërtimin e një shoqërie të lirë dhe moderne. Ndërsa kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, tha se LDK-ja duhet të kthehet në drejtim të shtetit të Kosovës, në mënyrë që, siç tha ai, t’i kthehet dinjiteti vendit.

“Sot, në prag të 5-vjetorit të lindjes së shtetit të pavarur të Kosovës, në frymën e bashkëpunimit dhe afrimit të spektrit politik në vend, ne u bëjmë thirrje të gjitha partive politike që duan një perspektivë më të mirë dhe më të drejtë për vendin, që ta shqyrtojnë ftesën tonë të sinqertë për bashkëpunim të veprimit tonë politik, në mënyrë që t’u ofrojmë qytetarëve tanë mundësi, që ata i meritojnë, për një jetë më të qetë, më të begatë, më të sigurt dhe t’u ofrojmë qytetarëve ato mundësi që ata nuk i kanë akoma, por që duhet t’i kenë”, tha Isa Mustafa, kryetar i LDK-së.

“Me vizionin e tij, presidenti Rugova ishte dhe mbetet përherë frymëzues për ndërtimin e paqtë të shtetit të së drejtës, të shoqërisë së lirë dhe demokratike, pa dhunë, autoritarizëm, pa korrupsion e kriminalitet, pa vrasje e urrejtje”, u shpreh Fatmir Sejdiu, ish president i Kosovës.

Me përjashtim të kryeministrit Hashim Thaçi, i cili ndodhet për vizitë zyrtare jashtë shtetit, homazhe pranë varrit të Rugovës bënë edhe drejtues të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe ata të Partisë “Aleanca Kosova e Re”.

Top Channel