Korona, Interpoli lëshon mandat arresti

21/01/2013 00:00

Zyra e Interpolit në Milano lëshoi një mandat arresti në të gjithë Europën për fotografin paparac Fabricio Korona.

Vendndodhja e tij nuk dihet prej së premtes, pak përpara se gjykata të shpallte dënimin e tij. Korona u shpall fajtor për shantazhin, që i bëri futbollistit David Trezege, të cilit i kërkoi para në këmbim të disa fotove kompromentuese.

Ai u dënua me pesë vjet burg. Sipas agjencisë së lajmeve ANSA, arratia nga ligji do të thotë shtimin me dy vjet e 10 muaj të dënimit. Me agjencinë e tij, Korona u bë një figurë qendrore në Itali, në vendin ku lindi dhe fjala “paparac” për fotoreporterin që zbulon jetën private të VIP-ave.

Si Trezege, edhe personazhe të tjerë e akuzuan Fabricio Koronën, përfshi këtu edhe pjesëtarë të familjes së Silvio Berluskonit.

Për Koronën, nuk bëhej fjalë për shantazhe, por thjesht se u kishte dhënë vipave një mundësi për të paguar fotot kompromentuese, për t’i tërhequr më pas nga qarkullimi. Ai i ka ofruar atyre të njëjtin çmim, që do t’i paguante një revistë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB