Francë, seri alarmesh për bombë

21/01/2013 21:05

Pesë institute për arsimimin e infermierëve në disa lokalitete në jug të Francës janë evakuuar gjatë së hënës si pasojë e alarmeve për bombë.

Rasti i parë është verifikuar rreth orës 13:30, kur një grua ka telefonuar zjarrfikësit në Montpelie për t’u thënë se një bombë ishte vendosur në institutin e saj.

Ndërsa në orët më të vona, bëjnë të ditur mediat franceze online, janë verifikuar edhe rastet e tjera po në institucione mjekësore.

Aktualisht në Francë niveli i sigurisë është tepër i lartë pasi për shkak të ndërhyrjes ushtarake në Mali, qeveria e Parisit u druhet sulmeve në formë hakmarrjeje të militantëve islamikë.

Gjatë së hënës, një autokolonë trupash franceze dhe vendase hyri në qytetin qendror të Malit, Diabali, pa hasur në rezistencën e militantëve islamikë.

Një reporter i AFP-së që udhëton bashkë me ushtarët, foli për të paktën 30 makina të blinduara që po lëvizin nëpër qytet. Islamikët, sipas raporteve në media, u larguan nga Diabali të premten pas sulmeve ajrore franceze.

Top Channel