Bursat europiane, rekord 2-vjeçar

21/01/2013 15:25

Bursat europiane nisën mbarë këtë javë, duke kapur nivelet më të larta të dy viteve të fundit.

Inkurajuar nga takimi i ardhshëm për ekonominë botërore në Zvicër, tregjet amerikane gjithashtu reaguan me rritje të vlerës së aseteve, pas hapjes së tyre ditën e hënë.

Bursa e Londrës, “FTSE 100” fitoi 0,3%, duke arritur në pikën më të lartë që prej vitit 2011. “CAC 40”, në Paris, gjithashtu u rrit me 0,3%.

Ndërkohë, ministrat e financave të vendeve të BE-së kanë lajmëruar mbajtjen e një takimi 2-ditor përpara nisjes së punimeve të forumit të “Davos”-it.

Qëllimi kryesor i këtyre bisedimeve do të jetë rakordimi i strategjive të ndryshme, për rikthimin e rritjes dhe daljen nga kriza aktuale e borxheve.

Rritja e vërejtur në bursat europiane dhe amerikane, nuk u shoqërua me të njëjtin hap edhe në tregjet e mëdha aziatike.

Bursat e ”Hang Seng”-ut, në Hong Kong, regjistroi një rënie të lehtë, ndërsa më serioze ishin humbjet e “Nikkei”-t në Tokio, ku u regjistrua një humbje prej 1,5%.

Top Channel