Barack Obama: Betohem!

21/01/2013 18:35

Presidenti amerikan Barack Obama është betuar përpara amerikanëve për mandatin e tij të dytë në krye të Shtëpisë së Bardhë, në një ceremoni madhështore të mbajtur përpara selisë së Capitol Hill.

I ndodhur përpara Shefit të Drejtësisë, John G. Robert Jr, zoti Obama është betuar me dorën mbi dy bibla, njëra që dikur ka qenë e presidentit Abraham Lincoln dhe tjetra e Martin Luther King Jr.

“Betohem se do të kryej me besnikëri detyrën e presidentit të Shteteve të Bashkuara, betohem se do të jap maksimumin e aftësive të mia dhe betohem se do të mbroj Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara”, është betuar Obama.

Zoti Obama, aktualisht 51 vjeç, është presidenti i 44-t i Shteteve të Bashkuara dhe i pari me ngjyrë. Më pas presidenti më i fuqishëm i botës ka mbajtur edhe fjalimin tradicional përpara amerikanëve të mbledhur, duke e vënë theksin tek liria, të drejtat e barabarta dhe demokracia.

“Sot po vazhdojmë një udhëtim që nuk do të përfundojë kurrë. Historia na ka mësuar se liria na vjen nga Zoti, por u takon njerëzve në tokë që ta mbrojnë dhe ta mbajnë të sigurtë.

Ajo që bashkon kombin tonë nuk është ngjyra e lëkurës, origjina apo emrat tanë. Kombin tonë e bashkon fakti se të gjithë njerëzit kanë lindur të barabartë dhe kanë të drejta të pamohueshme.

Prosperiteti i kombit tonë duhet të bazohet në punën e një klase të mesme të fortë. Të gjithë e dimë se tregu i lirë mund të prodhojë prosperitet vetëm nëse ka rregulla të forta.

Shtetet e Bashkuara kanë detyrime kundrejt pjesës tjetër të botës dhe do të mbështesin gjithmonë demokracinë, nga Azia në Afrikë dhe nga Amerikat në Lindjen e Mesme. Gjithashtu, Shtetet e Bashkuara do të mbështesin të drejtat e personave në nevojë dhe lirinë”, ka deklaruar Obama.

Në këtë ceremoni është betuar edhe Joe Biden si zëvendëspresident i Shteteve të Bashkuara, i cili ka premtuar gjithashtu se do të mbrojë vendin dhe Kushtetutën e tij nga çdo armik, i brendshëm dhe i jashtëm.

Ish-presidentët Bill Clinton dhe Jimmy Carter, si dhe një numër i madh senatorësh, krerë të Kongresit dhe zyrtarë të tjerë, kanë ndjekur ceremoninë e zhvilluar në kryeqytetin amerikan.

Pas ceremonisë, zoti Obama do të vijojë me drekën tradicionale me ligjvënësit amerikanë në ndërtesën Statuary Hall, ndërsa më pas pritet të ecë në këmbë gjatë paradës në Pennsylvania Avenue drejt Shtëpisë së Bardhë.

Zona që rrethon National Mall në kryeqytetin amerikan është virtualisht e blinduar, me lëvizjet e njerëzve dhe automjeteve rreptësisht të kufizuara.

Tenda të bardha, kamionë dhe gjeneratorë janë vendosur përgjatë itinerarit të paradës, ndërsa ndërtesat përreth janë zbukuruar me banderola të kuqe, të bardha dhe blu.

Autoritetet vlerësojnë se rreth 700 mijë persona kanë ndjekur ceremoninë e betimit, një numër ky shumë më i vogël se në vitin 2009, kur 1.8 milionë amerikanë ndoqën betimin e Obamës si presidenti i parë me ngjyrë. 

Top Channel