Austri, aksident hekurudhor pranë Vienës

21/01/2013 15:50

Disa persona mbetën të plagosur rendë ditën e hënë, kur dy trena u përplasën kokë më kokë në Austri.

Grupe të shpëtimit u detyruan të prisnin disa pjesë të hekurishteve të shtrembëruara nga impakti, për t’i ardhur në ndihmë njerëzve të izoluar brenda vagonëve të shformuar.

Ndërkohë, grupe mjekësh në terren u detyruan të asistonin personat e plagosur më rëndë në vendngjarje, për t’i stabilizuar përpara dërgimit të tyre në spital.

Aksidenti ndodhi në një orë të ngarkuar trafiku në periferi të kryeqytetit Vienë.

Mediat austriake bëjnë me dije se të paktën pesë persona janë plagosur rëndë, ndërsa 20 të tjerë kanë marrë plagë më të lehta.

Mbetet e paqartë përse trenat qarkullonin në drejtim të ndryshëm në të njëjtat shina, por sipas spekulimeve të para, aksidenti mund të jetë shkaktuar nga një gabim njerëzor i njërit prej dy makinistëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA