Siri, ministri propozon bisedime paqeje

20/01/2013 14:10

Ministri i Jashtëm i Sirisë ftoi për herë të parë kryengritësit që të ulin armët dhe të bashkohen në bisedime për formimin e një qeverie të re të pajtimit kombëtar.

Walid Muallem deklaroi se çdo grupim i armatosur mund t’i bashkohet kabinetit të ri, përsa kohë kundërshtojnë një ndërhyrje të jashtme.

Në këtë deklaratë, Muallem iu adresua kryengritësve si “një front”, duke u distancuar nga zhargoni standart i Damaskut, që i konsideron rebelët si “terroristë” apo “militantë”.

Megjithatë, Muallem refuzoi të përmbushte kushtin kryesor të kërkuar nga kryengritësit, largimin e presidentit Bashar al-Assad, duke thënë se e ardhmja e presidentit nuk mund të caktohet që tani.

”Siria ka shumë probleme të tjera dhe kryesorja është që të përfundojë kjo luftë e përgjakshme që po shkatërron atdheun. Bisedimet për të ardhmen e al-Assad, mund të zhvillohen vetëm pasi të jenë ulur armët dhe të qetësohen gjakrat”, pretendoi Muallem.

Nuk është e qartë se sa ndikim do të ketë kjo deklaratë tek grupimet e ndryshme të opozitës siriane, me disa ekspertë që parashikojnë se disa grupime mund të ndihen të joshura nga ky propozim.

Megjithatë, sipas ekspertëve, deklarata e Damaskut zyrtar ka më shumë si qëllim që të përçajë radhët e opozitës, se sa të vendosë me të vërtetë paqe në vend.

Top Channel