Numri i të huajve dhe algjerianëve të vrarë gjatë pengmarrjes në impiantin e gazit në shkretëtirë mund të rritet. Deri tani janë 23 viktima, ndërsa trupat algjeriane vranë 32 pengmarrës.
Shtetas amerikanë, britanikë, norvegjezë dhe japonezë rezultojnë të humbur pas pengmarrjes në In Amenas, që përfundoi të shtunën me ndërhyrjen e ushtrisë algjeriane.
Ministri i Komunikimit, Mohamed Said, i tha radios algjeriane se “numri përfundimtar do të mësohet në orët e ardhshme”. Ai shtoi se militantët islamikë ishin nga gjashtë vende të ndryshme, “arabë, nga vende afrikane dhe jo-afrikane”.
Zyrtarët algjerianë thanë se ushtria nisi ofensivën, pasi militantët islamikë filluan ekzekutimin e pengjeve të huaj. Kryeministri britanik, David Kameron, dhe presidenti amerikan, Barak Obama, akuzuan terroristët për vrasjen e pengjeve.
“Tre britanikë u konfirmuan të vrarë dhe tre rezultojnë të humbur, që ndoshta mund të kenë vdekur”, tha Kameron të djelën. “Familjet e tyre po kalojnë një vuajtje të tmerrshme”.
Presidenti amerikan, Barak Obama, tha se “sulmi është gongu tjetër i kërcënimit nga Al Kaeda dhe grupe të tjera terroriste në Afrikën e Veriut”.
Kryeministri japonez, Shinzo Abe, paralajmëroi vendin për lajme të këqija. Dy malajzianë rezultojnë të humbur si dhe pesë norvegjezë. Agjencia shtetërore e lajmeve “APS” tha se 685 punëtorë algjerianë dhe 107 nga 132 të huaj, që punonin në impiant, u lanë të lirë.
Kriza nisi të mërkurën, si kundërpërgjigje e ofensivës ushtarake të Francës në Mali. Impianti i In Amenas ndodhet në Tiganturinë, rreth 40 km në jug-perëndim të qytetit In Amenas dhe 1300 km në jug-lindje të Algjerit.
Impianti i gazit drejtohet nga British Petroleum, Statoil e Norvegjisë dhe kompania shtetërore algjeriane.
Top Channel