Kjo është pamja e heqjes së lapidarit të dëshmorëve në Preshevë. Përkundër paralajmërimeve se shqiptarët ishin duke sjellë një vendim për zhvendosjen e tij, mëngjesin e së dielës policia serbe ka errësuar qytetin.

Së pari, qindra policë kanë arritur në qytet dhe kanë bërë shëtitje rreth orës 05:00 të mëngjesit. Ndërkaq, dy orë më vonë kanë arritur mjetet e punës dhe eskavatorët që kanë hequr lapidarin që nxiti tensione në mes të shqiptarëve dhe serbëve, të cilët kërkonin heqjen e tij për shkak të mospajtimit që të qëndrojë në qendër të qytetit.

Qeveria e Serbisë kishte dhënë një afat për heqjen nga vetë shqiptarët, ndërsa të dytin dhe të fundit e dha Miistria e Drejtësisë në Serbi. Shqiptarët kanë thënë se ky është fillimi i shkëputjes së tyre, ndërkaq ata patën paralajmëruar dorëheqjen e tyre nga funksionet në institucionet lokale.

Kryeministri serb, Ivica Dacic, ka thënë për agjencinë serbe se kjo dërgon një porosi të qartë që shteti duhet të respektohet dhe se askush nuk është më i fortë. “Gjithçka ka shkuar pa incidente dhe dhunë. Serbia ka duruar mjaft”, ka thënë Dacic.

Ditën kur u rrënua lapidari i cili u ngrit në mesin e nëntorit, liderët shqiptarë do të takoheshin për të gjetur një zgjidhje me familjarët e dëshmorëve.

Shqiptarët përgatiten për protesta

Shqiptarët kanë paralajmëruar një protestë gjithë popullore ditën e nesërme. Largimin e lapidarit e kanë konsideruar vandalizëm dhe dhunë, kurse Beogradi bëri të ditur se ishte vetëm një detyrim për të respektuar ligjin. Sipas OSBE-së, iu ndërpre rruga kompromisit.

Lule dhe qirinj në vendin e lapidarit të dëshmorëve në Preshevë, i cili u hoq mëngjesin e së dielës nga forca të shumta policore serbe. Qytetarët kanë shprehur mllëfin e tyre për heqjen e këtij lapidari, që u kthye në frikë për qytetarët.

Liderët shqiptarë kanë thënë se Serbia ka treguar fytyrën e saj të vërtetë dhe kanë thënë se kontaktet me sistemin qendror, pothuajse nuk ekzistojnë. Kryetari i Preshevës, Ragmi Mustafa, ka paralajmëruar dorëheqjen. Ndërsa, në mënyrë unike është bërë thirrje për protesta.

Rreth 200 policë të njësive speciale të xhandarmërisë kanë marrë pjesë në këtë aksion, ndërkaq forca policore janë parë jashtë Preshevës, por edhe nëpër qytet. Dritat e tërë qytetit kanë ikur dy herë gjatë kësaj kohe.

Beogradi zyrtar ka dhënë vetëm një sqarim, që është vepruar në bazë të ligjit, por sipas tyre, është një veprim i detyrueshëm. Partitë qeveritare serbe kanë përshëndetur heqjen e përmendores, duke thënë se lapidari, siç e quajnë i ekstremistëve shqiptarë, është hequr për të treguar se ligji është njësoj për të gjithë.

Ndërkaq, OSBE në Serbi, që ishte për kompromis, ka vlerësuar se me këtë akt i është dhënë fund dialogut për një marrëveshje. Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Riza Halimi, ka thënë se Serbia, në vend të kompromisit, ka zgjedhur situatën e jashtëzakonshme dhe përdorimin e forcës.

Prishtina: Serbia, dëshmoi urrejtjen kundër shqiptarëve

Me reagime të shumta është pritur në Prishtinë heqja e lapidarit të UCPMB-së. Nëpërmjet një komunikate, qeveria e Kosovës ka shprehur indinjatën e thellë, duke paralajmëruar se një veprim i tillë i qeverisë së Serbisë rrezikon procesin e dialogut mes palëve.

“Ky veprim i qeverisë së Serbisë është një dëshmi tjetër se urrejtja kundër shqiptarëve, që jetojnë në Luginën e Preshevës është ende gjallë dhe se ajo po ushqehet me veprime të tilla të pasardhësve të politikës gjenocidale të Millosheviçit”, – vijon komunikata e qeverisë së Kosovës. “Qeveria e quan heqjen e lapidarit akt të shëmtuar, i cili rrezikon seriozisht procesin e dialogut dhe përgjegjësia direkte bie mbi Serbinë”.

Edhe zyra e presidentes Atifete Jahjaga vlerëson se heqja e përmendores tregon mungesën e gadishmërisë, që të gjendet zgjidhja nëpërmjet dialogut, si një mekanizëm tashmë i dëshmuar demokratik.

“Kjo është një dëshmi se Beogradi vazhdon të jetë prodhues i destabilitetit në rajon, nxitës i konflikteve dhe urrejtjeve ndërmjet kombeve”, thuhet në deklaratën e kryeparlamentarit Jakup Krasniqi.

Nga ana tjetër, qytetarët e Luginës së Presheves, të cilët prej vitesh jetojnë të shpërngulur në territorin e Kosovës, kritikojnë klasën politike në Kosovë dhe Shqipëri se nuk kontribuan, që cështja të zgjidhej në mënyrën e duhur.

Xhelal Beqiri është babai i dy djemve, të cilët kishin qenë ushtarë të UCPMB-së. Ai jeton në komunën e Fushë Kosovës sepse, bashkë me familjen, u detyrua të largohet  nga Bujanoci në korrik të 99-tës, ndërsa nuk ka mundur të kthehet asnjëherë në vendlindje sepse, sic tregon, në pronën e tij është ngritur kazerma e ushtrisë serbe.

“Ne jemi si gjithë ata qytetarë qe janë larguar nga Presheva, Medvegja e Bujanoci në mënyrën më barbare. I kemi lënë edhe teshat e trupit në Luginë dhe kemi ardhur këtu, këto veprime na kujtojnë vitet ’98-’99, mirëpo klasa politike në Kosovë dhe Shqipëri janë treguar shumë të dobët ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Më duket se nuk kanë marrë kurrfarë masash, jo vetëm për heqjen e lapidarit, por edhe për ne që kemi ardhur këtu, nuk e kemi patur kurrfarë përkrahje. Unë jam babai i dy djemve, që kanë qenë ushtarë”, tha Xhelal Beqiri, Bujanoc.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, bëri fajtore qeverinë e Serbisë për heqjen e lapidarit, por përgjegjëse, sipas Kurtit, është qeveria e Kosovës.

Lidhja Demokratike e Kosovës vlerësoi se heqja e lapidarit është një tjetër mjet presioni ndaj shqiptarëve të mbetur në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. LDK-ja ftoi bashkësinë ndërkombëtare, që ta shtojnë kujdesin për qytetarët shqiptarë që jetojnë atje, të cilët janë më të shtypurit dhe më të diskriminuarit në Europë.

Klasa politike në Kosovë bëri gjithashtu thirrje për gjakftohtësi, në mënyrë që shqiptarët e Luginës së Presheves të mos bien prè e provokimeve të Beogradit.

Reagimi i qeverisë shqiptare

Qeveria shqiptare dënon aktin e largimit me autoblinda, mitroloza dhe terror, nga autoritetet e Beogradit, të përmendores së heronjve të kombit shqiptar në Luginën e Preshevës që ranë për tu bërë të pavdekshëm në luftë për liri dhe dinjitet njerëzor dhe kombëtar kundër regjimit barbar të Millosheviçit.

Qeveria shqiptare e konsideron këtë një dëshmi tjetër të albanofobisë së autoriteteve zyrtare të Beogradit që dëshmon qartë se trashëgimia raciste anti-shqiptare e Slobodan Millosheviçit është e gjallë dhe dominon politikën zyrtare të Beogradit.

Me këtë akt të rëndë autoritetet e Beogradit kanë shkelur haptas ligjet dhe konventat ndërkombëtare, si Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe Konventën Europiane të të Drejtave të Minoriteteve të Këshillit të Europës si dhe Kartën Europiane të Autonomisë Rajonale dhe Lokale të Kongresit të Autoriteteve Lokale të Europës, të cilat Serbia i ka firmosur dhe është e detyruar t’i zbatojë.

Qeveria shqiptare vlerëson dhe mbështet plotësisht qëndrimin e matur të autoriteteve vendore dhe qytetarëve shqiptarë të Luginës së Preshevës ndaj terrorit serb dhe i siguron ata se Shqipëria ka mbështetur dhe do mbështesë pa asnjë lëkundje liritë dhe të drejtat njerëzore dhe kombëtare të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, të cilat nuk mund të kenë në asnjë rast standarte të tjera nga ato që kërkohen nga Beogradi për serbët në Mitrovicën e veriut.

Qeveria shqiptare iu bën thirrje institucioneve ndërkombëtare të ndalin stuhinë e albanofobisë që po shfaqet rëndom në rajon si një faktor që kërcënon paqen dhe stabilitetin e tij.

Prishtina zyrtare: Urrejtja ndaj shqiptarëve ende gjallë në Serbi, akti dëmton bisedimet me Beogradin

Heqja me e force e lapidarit të luftëtareve të UÇPMB-së nga qendra e Preshevës është denuar nga Qeveria e Kosoves, e cila permes nje deklarate tha se akti I Beogradit rrezikon seriozisht procesin e dialogut per normalizimin e marredhenieve ndermjet Kosoves dhe Serbise dhe pergjegjesia bie direkt mbi kete te fundit.

“Ky veprim i Qeverisë së Serbisë është një dëshmi tjetër- shkruhet ne deklarate- se urrejtja kundër shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës është ende gjallë dhe se po ushqehet me veprime të tilla të pasardhësve të politikës genocidale të Millosheviçit”.

Gjithashtu, qeveria e Kosoves nenvizon se “heqja e memorialit nuk ndryshon historine dhe kujtesen e shqiptareve kudo qe jane, ndersa Serbia dhe politikat e saj mbeten po ato te shekullit te kaluar”.

Reagon PS, Rama: Vendi i monumentit të mbushet me lule

Kreu opozitës, Edi Rama, deklaroi se heqja e lapidarit në Preshevë nga xhandarmaria serbe tregon se në Beograd vërtitet hija e së shkuarës prej të cilës Serbia e ka të zorshme të ndahet. 

Rama i bëri thirje shqiptarëve të Preshevës, për ta mbushur me lule vëndin e lënë bosh pas heqjes së lapidarit, pasi sipas tij lulet do të flasin më fort se vepri i ndërmarrë nga Serbia.

”Xhandarmeria serbe merr urdhëra nga një Beograd ku vazhdon te vertitet hija e nje te shkuare qe fatkeqesisht nuk po arrin te ndahet. Nga ana tjeter, vendi i zbrazur forcerisht nuk mund te lihet bosh dhe thirrja ime është qe çdo qytetar e familje ne Presheve ta mbushe ate vend me lule ne kujtim te te reneve, jo vetëm të Preshevës, por të dëshmorëve të të gjithë kombit shqiptar”, deklaroi Rama.

PDIU dhe Aleanca Kuqezi: Serbia mbjell urrejtje si në kohët e Milosheviçit

Edhe Partia Drejtësi, Integrim dhe Untetet, permes nje deklarate dënojnë ashpër heqjen e memorialit të UÇPMB-së. “Me këtë veprim, Serbia tregoi dhe një herë që nuk ka hequr dorë nga “doktrina millosheviçiane”, e cila në themel të saj ka dhunimin e shqiptarëve. Të friksuar nga reagimi i paralajmëruar i shqiptarëve të Luginës së Preshevës por edhe më gjerë, Beogradi dërgoi me qindra forca xhandarmërie, vetëm e vetëm për të hequr një memorial”, thuhet ne deklaraten e PDIU, e cila I ben thirrje tiranes zyrtare te regaoje me force oper kete veprim.

Edhe Aleanca Kuq e Zi dënon me forcë vendimin e qeverisë së Sërbisë për heqjen e “Memorialit të UÇPMB-së” në Preshëve, “memorial që dëshmon sakrificën e kombit shqiptarë kundër rracizmit sërb të modelit të Milloshevicit”.

Aleanca Kuq e Zi e konsideron veprimin e policisë së serbisë një akt provokues dhe kërcënues për shqiptarët në Luginën e Preshevës të cilët sot i zgjuan nën terrorin e ushtrisë dhe snajperave të xhandarmërisë serbe.

Reagimi i kryetares së Kuvendit të Shqipërisë

Për ngjarjen në Preshevë, ka reaguar edhe kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, e cila dënon heqjen e përmendores së heronjve shqiptarë nga forcat e ushtrisë serbe.

“Në emër të Kuvendit të Shqipërisë, dënoj burracakërinë e atyre, që hoqën monumentin në Preshevë. Heqja e monumentit ishte një skenë, që sjell në mend kohët e Millosheviçit. Ata hoqën monumentin, po ngritën më lart shqiptarizmën e frymën e bashkimit. Qeveria serbe gabon, nëse mendon se kjo është rruga dhe kështu do bëjnë dialogun me Kosovën”.

BDI: Serbia nuk e njeh dialogun si vlerë europiane

Partia shqiptare në qeverinë e Maqedonisë, Bashkimi Demokratik për Integrim, e ka quajtur “akt Millosheviçian”, largimin e lapidarit të dëshmorëve të UCPMB-së, nga xhandarmëria serbe në Preshevë.

“Ky akt ‘Millosheviçian’, që nuk njeh dialogun si vlerë europiane, vetëm dëshmon se Serbia nuk e kupton apo nuk dëshiron ta kuptojë realitetin e ri dhe po bëhet pengesa kryesore e europianizimit të rajonit”, thuhet në reagimin e BDI-së.

Kjo parti ftoi qytetarët shqiptarë në Luginën e Preshevës, që të ruajnë gjakftohtësinë dhe mos të bien prè e provokimeve me qëllim të keq.

“Vlerat e dëshmoreve të kombit janë të përjetshme dhe sa herë, që dikush tenton të shkelë mbi to, ato bëhen edhe më të mëdha dhe më të rëndësishme”, thuhet në fund të reagimit të BDI-së.

Lidhur me zhvillimet në Preshevë ka reaguar, përmes nënkryetarit të saj, edhe Partia Demokratike Shqiptare, në opozitë.

“Që qeveria serbe vazhdon me politikat e vjetra, kjo nuk përbën lajm. Lajm do të ishte sikur pjesa dërrmuese e lidershipit politik shqiptar të ishte i vetëdijshëm për këtë fakt dhe të sillet politikisht konform këtij realiteti. Është e parëndësishme, që tani të flitet për fitues apo humbës, pasi kjo qasje do të na zhysë edhe më shumë në patriotizmin romantik, të dëgjuar me shumicë ditëve të fundit, lidhur me këtë rast, dhe  aq të dëshiruar nga pjesa dërrmuese e lidershipit shqiptar”, ka thënë Imer Aliu.

Sipas tij, shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë, më shumë se kurrë, nevojë për përkrahje nga të gjithë shqiptarët, e në veçanti nga ana e institucioneve shtetërore të Kosovës dhe Shqipërisë.

Ndërkohë, ka reaguar edhe njëri prej ish-komandantëve të UÇK-së, Xhezair Shaqiri, i njohur si Komandant Hoxha. Ai ka akuzuar politikanët në Prishtinë dhe në Tiranë, se i kanë lënë në harresë shqiptarët e Luginës së Preshevës.

“Paaftësitë e politikanëve tanë patriotë, me rroga të larta, po na dëmtojnë shumë ne shqiptarëve dhe nuk lënë alternativë tjetër veçse që ne, ish ushtarët e UÇK-së, të reagojmë në mbrojtje të vlerave tona kombëtare”, ka shkrur në profilin e tij në Facebook, komandant Hoxha.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA