Kina proteston ndaj Clinton

20/01/2013 13:10

Kina u deklarua “veçanërisht e pakënaqur” me Sekretaren Amerikane të Shtetit në largim, Hillary Clinton, e cila të premten u shpreh fuqimisht në mbështetje të Japonisë, për çështjen e ishujve Senkaku (Diaoyu), të pretenduar nga të dy shtetet.

Deklarata e zonjës Clinton erdhi gjatë një takimi në Uashington me homologun e saj japonez, Fumio Kishida.

”Ne njohim zonën e Senkakut si nën administrimin e Japonisë dhe jemi kundër çdo veprimi apo pengese që do të minonte sovranitetin japonez në zonë”, deklaroi Clinton.

Nga ana e tij, Pekini reagoi duke e konsideruar deklaratën e saj si një ndërhyrje të “pajustifikuar” në punët e brendshme të Kinës.

Përplasja e gjatë midis Kinës dhe Japonisë për sovranitetin e arkipelagut të Senkakut, të ndodhur në një pozion thuajse të barazlarguar nga dy superfuqitë aziatike, u intensifikua pasi Japonia bleu ishujt nga pronari i tyre i ligjshëm më parë gjatë vitit te shkuar.

Pekini e konsideron këtë mënyrë të fitimit të sovranitetit mbi territorin si ilegale dhe një “precedent të rrezikshëm” ndërkombëtar.

Gjatë dhjetorit, Kina parashtroi në Organizatën e Kombeve të Bashkuara një shpjegim të detajuar të të gjithë pretendimeve të saj territoriale mbi territorin, bazuar mbi fakte historikë dhe gjeologjikë, që paraqesin Senkakun si një vazhdim të natyrshëm të territorit kinez.

Zona detare, e cila përbëhet nga grupi i ishujve “mikroskopikë”, ka fituar një rëndësi të veçantë pasi studimet e fundit treguan se në tokën nënujore ndodhen rezerva nafte dhe gazi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA