OKB kundër emetimit të mërkurit

19/01/2013 00:00

Mbi 140 vende të botës kanë rënë dakord për të miratuar një sërë masash ligjore për të frenuar ndotjen nga mërkuri.

Delegatët nga vendet në fjalë, të mbledhur në selinë e OKB në Gjenevë, aprovuan masat për të kontrolluar përdorimin e metalit me përmbajtje të lartë toksike në mënyrë që të reduktohet mërkuri që çlirohet në ambjent.

Mërkuri mund të prodhojë një sërë efektesh armiqësore ndaj shëndetit të njeriut, përfshirë dëme të përhershme në sistemin nervoz.

OKB publikoi së fundmi të dhëna që tregojnë se emetimet e mërkurit janë rritur në shumë vende që janë në fazën e zhvillimit.

Marrëveshja e re u arrit pas bisedimeve që zgjatën gjithë natën mes së premtes dhe së shtunës, bëjnë të ditur mediat ndërkombëtare në edicionet online.

“Një traktat, për të cilin u ra dakord mëngjesin e 19 janarit, do të nisë të zbatohet për të hequr qafe një metal që dëmton shëndetin e njeriut”, deklaroi zëdhënësi i OKB për Programin e Ambjentit, Nick Nuttall.

Rregullat e reja, të njohura si Konventa Minamata, sipas emrit të qytetit japonez që përjetoi një nga katastrofat më të rënda nga mërkuri, do të firmosen nga vendet pjesëmarrëse në një konferencë diplomatike që do të mbahet më vonë gjatë vitit.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta