Mali, takim mes liderëve të Afrikës Perëndimore

19/01/2013 04:40

Udhëheqësit do të takohen në Bregun e Fildishtë, për të koordinuar më mirë veprimet ushtarake.

Ata priten të diskutojnë planet për të çuar trupa afrikane në mbështetje të ushtarëve malianë dhe francezë, që janë aktualisht në veprim kundër militantëve islamik.

Ministri i Jashtëm francez, Laurent Fabius, do të marrë pjesë gjithashtu në këto bisedime në Abidjan. Rebelët islamik u tërhoqën gjatë të premtes nga dy qytete në qendër të Malit, prej sulmeve nga ajri të forcave franceze.

Zyrtarët thanë se islamikët kanë lënë tashmë qytetin jugor të Diabaly-së, të cilin e pushtuan të hënën, ndërsa ushtria maliane ka rimarrë kontrollin e Konna-s, që u pushtua nga rebelët ditë më parë, pas ndërhyrjes së francezëve.

100 trupat e parë nga vendet e Afrikës zbritën në terren, në kryeqytetin Bamako, gjatë së enjtes. Ushtarë nga Togo dhe Nigeria janë pjesë e forcave të Afrikës Perëndimore, që do të bashkohen me ato të Malit dhe Francës, në luftën kundër rebelëve islamik, që pushtuan veriun e Malit vitin e kaluar.

Por, janë ngritur shumë pyetje në lidhje me aftësinë e forcave afrikane për të luftuar ndaj militantëve islamik të mirë-armatosur, bëjnë të ditur korrespondentë të huaj.

Ushtarët nga vendet e këtij rajoni po dërgohen në këtë konflikt pas rezolutës së Këshillit të Sigurisë në OKB. Ky i fundit ka dalë në mbrojtje të strategjisë për të rimarrë kontrollin e veriut të Malit nga rebelët, por fillimisht me kushtin që Franca të përdorte mjete logjistike në ndihmë të forcave afrikane, ndërkohë që tani është mëse e qartë se forcat franceze do të qëndrojnë në vijën e parë të operacioneve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA