I ftohti mbërthen Europën

19/01/2013 01:20

Dëbora ka mbuluar disa vende të Europës. Gjermania, Austria, Franca, Britania e Madhe dhe Rusia janë mbërthyer nga i ftohti, temperaturat e ulta, erërat e forta dhe stuhi dëbore. Dhjetra fluturime u anuluan, disa aeroporte u mbyllën.

Aeroporti i Frankfurtit, një nga më të mëdhenjtë në Europë raportoi anulimin e 40 fluturimeve, ndërsa ai Mynihut 70, si pasojë e reshjeve të dëborës dhe ngricave.

Në Austri, reshjet e dëborës shënuan rekordin e 10 viteve të fundit, duke arritur 100 cm në zonat urbane dhe mbi 220 cm në Alpe. Aeoporti ndërkombëtar i Vjenës u mbyll dhe mbi 160 fluturime u anuluan.

Shumë trena mbërritën me vonesë, segmente të caktuara të metrosë nuk funksionuan. Të paktën 50 ambulanca dhe mbi 500 punonjës së ndihmës së shpejtë ishin shpërndarë në rrugë, në rast urgjence.

Në Francë, si pasojë e stuhive të dëborës, u anuluan mbi 20% e fluturimeve nga aeroporti “Sharl Dë Gol”, një prej më të mëdhenjve në kontinentin e vjetër.

Në Londër dhe në perëndim të Britanisë së Madhe, ngricat penguan qarkullimin e automjeteve. Zyra meteorologjike paralajmëroi më shumë reshje dëbore në të gjithë vendin. Në disa pjesë të Uellsit, dëbora parashikohet të arrijë deri në 30 cm.

Në Moskë, kryeqytetin e Rusisë, reshjet e dëborës kanë arritur në 30 cm, duke shkaktuar probleme të shumta në trafik. Shoferëve u është dashur të qëndrojnë për disa orë të bllokuar.

Mijëra punëtorë po përpiqen të pastrojnë rrugët e Moskës nga dëbora. Aeroportet funksionuan normalisht të premten, megjithëse u shënuan vonesa të vogla. Shërbimi meteorologjik parashikon mot të ftohtë edhe në ditët e ardhshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA