DASH konfirmon humbjen e një shtetasi

19/01/2013 02:40

Departamenti amerikan i Shtetit ka konfirmuar se 1 shtetas amerikan, Frederick Buttaccio, ka humbur jetën mes pengjeve të marrë në impiantin e gazit në Algjeri, por nuk dha detaje të tjera mbi rethanat e ngjarjes.

“Në respekt të privatësisë së familjes së tij, nuk do të komentojmë më gjatë”, tha zëdhënësja e DASH, Victoria Nuland.

Agjencia algjeriane e lajmeve kishte dhënë më herët një shifër jo të saktë të pengjeve të huaj të liruar, duke thënë se “më shumë se gjysma” e 132 pengjeve janë liruar.

Ka reaguar edhe Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, e cila ka komentuar: “Jemi thellësisht të shqetësuar për ata që janë ende në rrezik për jetën në Algjeri”. Më pas shtoi se kishte folur me kryeministrin algjerian, Abdelmalek Sellal, duke konfirmuar se “duhet një kujdes ekstrem” për lirimin e pengjeve.

Clinton nuk ka dhënë informacione mbi numrin e saktë të amerikanëve, që mbahen ende peng në duart e rrëmbyesve islamik, por ka theksuar se situata është ende “shumë e vështirë”.

Zyrtarë amerikanë kanë konfirmuar më herët se ka akoma shtetas të tyre mes pengjeve, por përsëritën se “Shtetet e Bashkuara nuk do të negociojnë me terroristët”.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Leon Panetta, tha për BBC se “nuk do t’i lejojmë ata të krijojnë vende të fshehura, në të cilat të kryejnë të tilla akte terroriste”.

Top Channel