Policia bullgare arrestoi një person pas përpjekjes së këtij të fundit për të sulmuar liderin e partisë së minoritetit turk në këtë vend.

I arrestuari u identifikua si Oktai Enimehmedov, edhe ky pjesëtar i minoritetit turk. Gjatë një takimi të Ahmet Dogan me përfaqësues të partisë së tij, Lëvizja për të Drejtat dhe Liri, 25-vjeçari u përpoq nga një distancë e afërt ta qëllonte atë me një pistoletë me gas.

Fatmirësisht, pistoleta nuk shkrepi dhe Dogan i shpëtoi paq sulmit, ndërkohë që sigurimi dhe anëtarë të tjerë në sallë shkuan përtej neutralizimit të agresorit, duke e dhunuar atë.

Pistoletat me gas përdoren kryesisht si armë vetë-mbrojtëse jovdekje-prurëse, por nëse përdoren nga një distancë e afërt, dëmtimet e shkaktuara prej tyre mund të jenë serioze.

Lidhur me incidentin në fjalë, Ministri i Brendshëm bullgar, Tsvetan Tsvetanov deklaroi se ndaj të riut është marrë masa e arrestit. Aktualisht ai është i shtruar në spital ku po mjekohet për plagët e marra nga grushtat dhe shqelmat e forcave të sigurisë.

Ahmet Dogan konsiderohet si një ndër politikanët më me influencë në Ballkan. Ai udhëheq partinë Lëvizja për Liri dhe Drejtësi që prej vitit të themelimit të saj në 1990 dhe mbledh rreth vetes 12 përqind të popullsisë prej 7.5 milion banorë të Bullgarisë, turq dhe joturq muslimanë.

Top Channel