Ulëz, protestë e punonjësve të HEC-it

18/01/2013 19:25

Punonjësit e hidrocentralit të Ulzës kanë zhvilluar të premten një protestë për të kundërshtuar privatizimin e tij.

Në këtë protestë u kërkua ndalja e menjëhershme e privatizimit të këtij hidrocentrali, pasi me punën në të jetojnë më shumë se 800 banorë të rrethit të Matit e më gjerë.

“Ky vend këtu është larë me gjak. Ndre Elezi, Ndrec Gjergji, Etem Uka, Gjon Nika me 7-8 vetë të tjerë vdiqën për të ndërtuar këtë hidrocentral. Nuk mund të shitet kështu”, është shprehur njëri prej punëtorëve.

Ndërkohë që një tjetër përmendi faktin se kishte kontribuar për PD-në duke qenë anëtar i saj, por tani rrezikonte të mbeste pa punë.

“I bëj thirrje zotit Berisha. Unë jam ndër anëtarët e parë të PD-së që kam kontribuar. Kujtova se do fitojmë dhe do shpëtojmë. Por ja ku jemi sot. I bëj thirrje t’i vërë gishtin kokës sepse ky hidrocentral do mbrohet me gjak”, ka thënë ai.

Në mbështetje të protestës së punëtorëve ka qenë edhe deputeti socialist i kësaj zone, Qemal Minxhozi, i cili kërkoi nga qeveria të heqë dorë nga priviatizime të tilla korruptive.

“Nuk mund të mbushet arka e shtetit e boshatisur me djersën dhe kontributin tuaj. Qeveria të gjejë burime të tjera për t’i bërë ballë krizës. Vlera që qeveria do të marrë nga shitja e Ulzës, Shkopetit dhe dy Bistricat, është e barabartë me punën e këtyre hidrocentraleve për 5 vjet”, ka thënë Minxhozi.

Më herët gjatë javës qeveria shpalli zyrtarisht shoqërinë turke “Kurum” si fituese në tenderin për shitjen e katër hidrocentraleve me një kapacitet të instaluar rreth 80 megavat, pasi ofroi shumën 109.5 milionë euro.

Partia Socialiste i kërkoi Prokurorisë së Tiranës të hetojë vendimin e Qeverisë për privatizimin e katër hidrocentraleve Bistrica 1 dhe 2, Ulzës dhe Shkopetit.

Top Channel