Netanyahu, politikë force ndaj Palestinës

18/01/2013 15:40

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, do të vazhdojë të ndjekë një politikë force ndaj Palestinës nëse do të fitojë një mandat të ri në zgjedhjet e 22 janarit.

Katër ditë përpara se në Izrael të mbahen zgjedhjet e parakohshme të detyruara nga rënia e koalicionit qeverisës, Netanyahu theksoi se është i vendosur që të mos bëjë asnjë tolerim në mbrojtjen e interesave kombëtare të Izraelit dhe premtoi se nuk do të ketë asnjë tërheqje apo rishikim të politikës së ndërtimit të vendbanimeve hebrehe në territoret e pushtuara palestineze.

”Ne nuk kemi ndërtuar asnjë vendbanim të ri, vetëm kemi zgjeruar ekzistuesit. Askush nuk mund të vijë dhe të më japë mua mësime për tokën e Izraelit, sionizmin apo vendbanimet tona të ligjshme. Nëse unë do të fitoj një mandat të ri, mund të premtoj që tani se asnjë vendbanim nuk do të cënohet, aq më pak të tërhiqet”, deklaroi Netanyahu në një intervistë për një gazetë vendase.

Sipas sondazheve parazgjedhore, kryeministri aktual pritet të rizgjidhet me një shumicë të dukshme votash.

E ardhmja e vendbanimeve izraelite, jashtë kufijve origjinalë të viteve 1967, është shndërruar në një prej argumenteve kryesorë që po bllokon bisedimet e paqes me palestinezët.

Me kufijtë e viteve 1967, Izraeli rikthehet brenda kufijve të pranuar më parë prej shumicës së vendeve arabe, përpara se vendi të zgjeronte territorin me toka palestineze dhe siriane, pas dy luftave në 1967-n dhe 1973-shin.

Rreth 500 mijë izraelitë jetojnë në Bregun Perëndimor dhe Jeruzalemin Lindor, në mbi 100 vendbanime të konsideruara si të jashtëligjshme nga komuniteti ndërkombëtar, ndonëse Izraeli e sfidon këtë.

Top Channel