Varrimi i aktivisteve kurde

17/01/2013 00:00

Mijëra kurdë janë mbledhur në jug-lindje të Turqisë për varrimin e tre aktivisteve kurde të vrarë pak ditë më parë në Paris.

Trupat e tre aktivisteve të fraksionit separatist Partia e Punëtorëve të Kurdistanit u dërguan në Dijarbakir vonë gjatë ditës së mërkurë.

Themelueset e PPK-së, Sakine Cansiz, Fidan Dogan dhe Leyla Soylemez u qëlluan për vdekje në një qendër kurde në Paris të mërkurën e kaluar.

Deri më sot asnjë grup nuk ka marrë përsipër përgjegjësinë për vrasjen e tyre, por shumë kurdë fajësojnë elementë të shtetit.

Kryeministri turk Recep Tayip Erdogan sugjeroi pak ditë më parë se vrasja e trefishtë mund të kishte si synim sabotimin e bisedimeve për paqen.

Kjo, pasi zyrtarët turq kanë nisur bisedimet me liderin e burgosur kurd Abdullah Ocalan, për t’i dhënë fund fushatës së armatosur të kurdëve.

Megjithatë, Erdogan tha gjithashtu se qeveria e tij do të vazhdojë operacionet anti-PPK derisa militantët kurdë të ulin armët. Ditën e mërkurë, avionë ushtarak turq bombarduan objektiva kurdë në veri të Irakut për të tretën ditë rresht.

Vitin e kaluar në këtë zonë u regjistruan luftimet më të ashpra mes palëve. Që kur nisi konflikti, mbi 40 mijë persona kanë mbetur të vrarë.

Grupi, që konsiderohet nga SHBA dhe BE një organizatë terroriste, nisi një fushatë për pavarësinë e etnisë kurde në jug-lindje të Turqisë në vitin 1984.

Top Channel