
Pas pak ditësh do të çohet në Torino ekspozita “Thesaret e Trashëgimisë Kulturore Shqiptare” e cila që nga 20 nëntori i vitit të kaluar qëndroi e hapur në kompleksin Vittoriano në Romë, ku pati një sukses jashtëzakonisht të madh.
Publiku i shumtë mundi të admirojë rreth 150 objekte e relike, ikona të Onufrit e zbukurime të vyera të periudhave të ndryshme të jetës dhe kulturës shqiptare, të cilat janë edhe dëshmi të rrënjëve të thella europiane të Shqipërisë.
Ekspozita, e cila do të jetë e hapur deri në ditët e para të prillit në Torino, tërhoqi vëmendjen edhe të specialistëve dhe mediave të shkruara e televizive. Ato vunë në dukje pasurinë dhe larminë e një kulture që megjithëse është kaq e afërt, mbetet shpesh e panjohur. E pikërisht në 100 vjetorin e saj të pavarësisë, Shqipëria u paraqit shumë denjësisht me këtë ekspozitë, e para e këtij niveli kaq të lartë dhe kaq e plotë.
Me rastin e vizitës së tij të parë zyrtare në Itali më 28 dhjetor, edhe presidenti Bujar Nishani vizitoi ekspozitën së bashku me homologun e tij italian Giorgio Napolitano. Kreu i shtetit italian, i cili ishte një prej mbështetësve kryesorë të kësaj ekspozite, vlerësoi pasuritë kulturore shqiptare dhe tha se këto i përkasin jo vetëm Shqipërisë, por janë vlera dhe pasuri ndërkombëtare.
Top Channel