Opozita maqedonase ka vijuar me marshin protestues në Shkup. Dhjetra përkrahës të opozitës, bashkë me disa nga drejtuesit e saj, të mërkurën në mesditë, kanë protestuar para godinës së qeverisë, duke bllokuar për gjysmë ore disa rrugë para saj.

Deputeti i Lidhjes Social-Demokrate të Maqedonisë, Jani Makraduli, ka thënë se bllokimi i rrugëve, në kohëzgjatje prej gjysmë ore, do të vazhdojë deri të premten. Ai ka paralajmëruar qeverinë se, nëse nuk tregon gadishmëri për dialog, nga java e ardhshme, bllokadat do të shtohen.

“Sot kemi bllokuar këtë udhëkryq para qeverisë dhe rezistenca jonë do të vazhdojë deri sa të zgjasë heshtja e pushtetit për kërkesat tona. Jemi të vetëdijshëm se bllokadat shkaktojnë nervozizëm, por bëj thirrje për durim, pasi regjimi Gruevski çdo ditë po instalon diktaturën në vend. I bëj me dije qeverisë se, nëse nuk tregon vullnet për dialog dhe dalje nga kriza politike, nga dita e hënë, bllokadat do të vazhdojnë në rrugë dhe do të zgjasin më shumë se gjysmë ore”, tha Jani Maraduli, deputet i LSDM-së.

Për të dalë nga kriza politike, opozita maqedonase po kërkon zgjedhje të parakohshme parlamentare. Ajo vlerëson se qeveria aktuale ka humbur legjitimitetin, pas ngjarjeve të dhunshme, që ndodhën muajin e kaluar gjatë miratimi të Buxhetit, kur nga Kuvendi u dëbuan me forcë deputetët e opozitës maqedonase dhe gazetarët.

Opozita ka bërë thirrje për padëgjueshmëri qytetare, ndërsa deputetët e saj janë duke bojkotuar punimet e Parlamentit.

Top Channel