I vetëm në shfaqje apo “One man show” . Një mënyrë e të bërit teatër që përmban rrezik, por edhe shumë sukses nëse gjithçka shkon mirë.
Termi “One man show” i referohet një interpretuesi, shpesh një komediani, i cili performon i vetëm. Një tipar dallues i shfaqjes solo qëndron në mungesën e murit të zakonshëm që ndan interpretuesin nga audienca, duke kërkuar apo pretenduar përfshirjen aktive të njerëzve në shfaqje. Historia e kësaj mënyre interpretimi është e vjetër. Që në kohën e antikitetit njerëzit rrëfenin histori përpara anëtarëve të tjerë të fisit të tyre.
Më vonë u zhvillua si shfaqje teatrale me monologjet e Greqisë antike. Në ditët e sotme më e zhvilluar është varianti “stand-up komedi”. Interpretuesi vetmitar zakonisht është një aktor komik i sprovuar për humorin e tij dhe i njohur nga publiku. Në stand-up komedi ai zakonisht tregon batuta të shpejta, rrëfenja humoristike, bën shaka të shkurtra me veshje të zgjedhura të cilat përbëjnë atë që quhet zakonisht një monolog ose akt.
Disa komedianë përdorin muzikë apo truke magjike për të përmirësuar performancën e tyre dhe për ta mbajtur publikun gjatë gjithë kohës të ngërthyer pas tyre. Stand-up komedi shfaqet shpesh në bare, salla të vogla, por edhe teatro të mëdha. Ndër emrat më të njohur që kanë realizuar stand up komedi janë Woody Allen, Shelley Berman, Redd Foxx, George Kirby etj.
Fryma e one man show është përhapur edhe në vendin tonë. Elvis Pupa realizoi këtë vit një stand up komedi, por interpretimet solo janë më të hershme. Të ashtuquajturat monodrama kanë lënë gjurmë në historinë e teatrit shqiptar. Ndër më të njohurat është “Apollogjia e Sokratit” interpretuar me mjeshtëri nga Mirush Kabashi. Duket se kjo formë e të shfaqurit i përshtatet mjaft mirë aktorit të mirënjohur i cili ka interpretuar edhe “Zoti Ibrahim dhe lulet e Kuranit”.
Emra të mëdhenj të teatrit kanë zgjedhur këtë formë interpretimi, ndër ta nuk mungon Drita Pelinku me shfaqjen “Rosse”. Në monodramat më të mira renditet edhe shfaqja e aktores së madhe Margarita Xhepa, “Kënga e Mjelmës”. Nuk mungon në one man shoë as Dritan Boriçi, i cili përfaqësohet me veprën “Legjenda e pianistit”. Valbona Coba është një tjetër aktore që ka zgjedhur për të përformuar vetëm në skenën e teatrit me “Xhordanin”. Më përpara performanca të tilla kanë realizuar edhe Arian Cani dhe Erand Sojli.
Dario Fo, komiku italian që mori çmimin Nobel
Dario Fo është një nga shkrimtarët dhe interpretuesit komik më të shquar të kohës sonë. Ai ka krijuar një numër shfaqjesh që janë vënë në skenë në të gjithë botën me një mesazh universal. Në vitin 1997, puna e tij i dha çmimin Nobel për letërsi, i cili frymëzoi shumë batuta rreth asaj se si çdo aktor komik mund të fitojë një Nobel.
Vepra që e lartësoi atë është “Vdekje aksidentale e një anarkisti, rreth vrasjes policore të një aktivisti politik”.
Në veprat e tij Fo ka kombinuar performancën e shprehjes me gojë nga tradita popullore me mendim radikal. Ai ka përdorur të qeshurën si një armë kundër krijimit të konservatorizmit në skenën politike të Italisë si dhe kundër të këqijave sociale dhe ndërkombëtare të kohës së Luftës së Ftohtë. Pas Luftës së Dytë Botërore, Fo studioi në një shkollë arti dhe planifikoi që të bëhet një arkitekt. Karriera e Fo si një dramaturg dhe aktor ka filluar në kabare’ të vogla. Për të riun Fo, kjo është një periudhë e leximit të pangopur.
Gramsci dhe Marksi janë të preferuarit së bashku me shkrimtarët amerikanë dhe përkthimet e para të Brecht, Majakovski dhe Lorca. Më vonë ai ka punuar në radio italiane dhe rrjete kombëtare televizive. Ai në fillim tërhoqi vëmendjen e kritikëve në vitin 1953 me “Gishtat në sy”, një strukturë e lirshme në të cilën ai kombinoi filozofinë marksiste me batutat, këngët dhe pajisje të tjera teatrore të artit të komedisë duke bërë një nga shfqajet më popullore.
Në vitin 1959 Fo themeloi me gruan e tij, aktoren Franca Rame, një kompani që prodhoi një numër dramash satirike popullore. Në këto shfaqje Fo miratoi mendimin se arti është një instrument i ndryshimeve shoqërore dhe politike. ‘La Signorina è da buttare’ (1967) bëri komentet aktuale të luftës në Vietnam dhe vrasjes së Kennedy. Shpesh ai ka sulmuar edhe kishën katolike. Fo ishte akuzuar për mosrespektimin e një kryetar shteti (Lyndon B. Johnson) dhe për një kohë të gjatë iu mohua viza për të hyrë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Një nga punët më origjinale të Fo në vitet ’60 është Misteri komik. Ai përbëhet nga një numër monologjesh të marrë nga vepra fetare të Mesjetës, të cilat janë të përziera me çështjet bashkëkohore. Vatikani e përshkroi punën e tij si “shfaqjen më blasfemuese në historinë e televizionit” kur ajo u paraqit në televizionet italiane në vitin 1977. Qeveria italiane ka censuruar veprat e Fo në periudhën e hershme të karrierës së tij. Ai ka qenë gjithashtu i burgosur, rrahur dhe kërcënuar me vrasje.
Duke kryer skica komike në televizion, Fo dhe Franca Rame u bënë të famshëm me publikun italian. Në vitin 1962 Fo paraqiti një shfaqje satirike televizive e cila u mbyll pas vetëm shtatë javë transmetimi. Ai fitoi njohje ndërkombëtare në 1960 me “Archangels don’t play Pinball” e cila ishte shfaqur në Zagreb në ish-Jugosllavi.
Në vitet ’70 Fo nisi një projekt të ri me të ashtuquajturin Teatri i qytetit. Ai performoi në shfaqje të ndërtuara dhe të organizuara me nxitim, të cilat janë prodhuar si reagim ndaj çështjeve të ndryshme lokale, kombëtare dhe ndërkomëbtare. Ndër këto më kryesoret ishin lufta e njerëzve në Kili, në lidhje me revoltën popullore në shtetin latin si dhe Fedayn, një shfaqje rreth çështjes palestineze.
Një vepër shumë e vlerësuar, Çifti i Hapur, në vitin 1983, ishte një shfaqje që shikon rolin e gruas në shoqëri. Në shfaqjet e tij, Fo nuk lë asnjëherë pa thumbuar politikën dhe politikanët. Në një fjalim në vitin 2002 me titull “Fryma e Musolinit në ditët e sotme”, Fo thotë se as Musolini në sistemin e tij politik nuk kishte aq privilegje se kryeministri i asaj kohe, Silvio Berluskoni.
Pjesët teatrale të Fo shpesh varen nga improvizimet dhe përdorimi i lajmeve aktuale. Tekstet origjinale janë vazhdimisht duke u modifikuar dhe rishkruar, ndryshimet janë të bazuara në reagimin e audiencës.
Top Channel