“Nuk do të ketë marrëveshje. Ajo që kërkon Serbia, qeveria jonë nuk e pranon kuptohet dhe ajo që dëshiron Kosova, nuk e pranon qeveria e Serbisë. Është Serbia ajo që vendos për veriun e Kosovës dhe jo banorët e saj”.

Me këto doza pesimizmi shprehet një banor i kryeqendrës kosovare të veriut, Gafurr Begu.

Buzë varfërisë së skajshme, papunësisë dhe një ambienti në të cilin gjithçka tjetër sundon përveç forcës ligjore, qytetarët e Mitrovicës e kanë të vështirë të besojnë se takimi i 17 janarit mund të ndryshoje realitetin ne veri të Kosovës.

”Momentalisht kështu po shkon situata, vetëm ku të shkojmë se deri tani ka 13 vjet që nuk është bërë asgjë dhe nuk presim aspak që diçka të ndodhë”, shprehet një tjetër qytetar, Mexhid Tahiri.

Një qytetar tjetër, Faik Haziri, thotë se e konsideron veten refugjat prej 13 vitësh sepse asnjëherë nuk mundi të kthehet në banesën e tij në rrugën “Krajl Petër” në veri të qytetit.

Sa i përket bisedimeve me Serbinë, ai duke njohur qëndrimet e palëve mendon se çelësi i zgjidhjes ështe te faktori ndërkombëtar.

”Në të vërtetë unë jam banor i veriut dhe atje kam shtëpinë e vjetër. Shpresat i kemi të vakëta, pasi e dimë shumë mirë se çfarë është Serbia dhe gjithmonë i ikën atyre marrëveshjeve që duhet t’i zbatojë. Gjithmonë i devijon dhe nuk i zbaton e në këto kushte, të vetmit që mund të bëjnë diçka janë ndërkombëtarët”, vlerësoi Haziri.

Veriu i Kosovës, prej 13 vitesh qeveriset nga strukturat ilegale të Serbisë. Ndryshe nga sa funksionon pjesa tjetër e Kosovës, edhe 2013-ta tregon se “UNMIK”-u është ende funksional në veri të qytetit sikurse edhe policia e “Eulex”-it.

Nga ana tjetër, Policia e Kosovës është e dukshme më shumë pranë urës kryesore, por edhe në Lagjen e Boshnjakëve, pavarësisht se çdo ditë jepen shembuj të mos respektimit të ligjit, kur është fjala p.sh  ndalimi i qarkullimit të makinave me targa të Serbisë apo i atyre që nuk i kanë.

Top Channel