
Regjisorja Kathryn Bigelow ka mbrojtur përshkrimin e torturës në filmin e
saj të fundit “Zero Dark Thirty”, që tregon për gjuetinë për Osama bin
Laden.
“Është pjesë e historisë. Lënia jashtë e saj do të kishte qenë një deformim i historisë”, ka thënë regjisorja për BBC.
Megjithatë, ajo nënvizon se filmi i saj nuk sugjeron se kreu i Al Kaedës nuk do të ishte lokalizuar pa përdorimin e të ashtuquajturës “teknika speciale e marrjes në pyetje”.
“Ky është një keqinterpretim që i bëhet filmit”, ka thënë Bigelow, e cila njihet edhe për filmin tjetër ushtarak “The Hurt Locker”, që tregon epopenë e ushtrisë amerikane në Irak.
“Zero Dark Thirty” është bërë subjekt i kritikave nga qeveria amerikane, konkretisht nga tre senatorë dhe drejtuesit e CIA-s, që pretendojnë se filmi mitizon idenë se tortura është efikase.
“Filmi bën një pasqyrim të taktikave që agjentët sekretë në terren përdorën për 10 vjet për të lokalizuar sheikun”, ka thënë Bigelow.
Kryeterroristi faktikisht u lokalizua në një kompleks në Abotabad të Pakistanit, bastisja e të cilit nga komandot amerikanë përbën pjesën kulmore të filmit.
“Blici ishte një operacion i zellshëm, kompleks dhe i suksesshëm, pasi çoi njeriun më të rrezikshëm në botë para drejtësisë”, ka thënë më tej regjisorja.
Top Channel