Zyrtare, Guardiola trajneri i Bajernit

16/01/2013 00:00

Pep Guardiola rikthimin e tij do ta bëjë  në kampionatin gjerman. Ish-trajneri i Barcelonës do të udhëheqë bavarezët, duke nisur nga fundi i këtij sezoni, për tre vitet e ardhshme.

Lajmi njoftohet në faqen zyrtare të Bajernit të Mynihut. Skuadra bavareze saktëson se pas refuzimit të trajnerit aktual, Jupp Heynckes për të zgjatur kontratën në krye të klubit është vendosur që emri pasues i tij të jetë Guardiola.

Heynckes paralajmëroi para Krishtlindjeve vendimin e tij se pas 30 qershorit 2013, kur edhe i mbaron kontrata me Bajernin, nuk do të drejtojë më në futboll dhe se me shumë gjasa do të tërhiqet nga karriera e tij si trajner.

“Duke mirëkuptuar dhe respektuar vendimin e tij, Bajerni i Mynihut është i lumtur t’iu njoftojë se si pasardhës i Heynckes është zgjedhur një trajner i profilit të lartë dhe i suksesshëm në botën e futbollit; 41-vjeçari, Pep Guardiola”, thuhet në deklaratën e shpërndarë në faqen zyrtare të skuadrës gjermane.

“Pep Guardiola është njëri prej trajnerëve më të suksesshëm në botë dhe ne jemi të sigurtë se ardhja e tij do të rrisë jo vetëm futbollin e Bajernit, por të gjithë futbollin gjerman”, deklaroi kreu ekzekutiv i Bajernit, Karl-Heinz Rummenigge.

Pep dhe Bajern kanë rënë dakort për një kontratë 3-vjeçare, deri në vitin 2016. Pagesa dhe detaje të tjera të kësaj marrëveshje mbeten për t’u mësuar në ditët e ardhshme.

Me këtë vendim, Guardiola do t’i japë fund pushimit 1-vjeçar. Në maj të vitit të kaluar ai u tërhoq nga Barcelona pasi kishte fituar 14 trofe, mes të cilëve dy tituj kampionë Europe.
 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA